Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 23.04.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të mbahet të premten, më 27 prill. Kreu i Kuvendit e ka bërë të ditur se në një pjesë të seancës do të marrë pjesë delegacioni i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në të njëjtën seancë parashihet që Kabineti qeveritar, t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.

Do të shqyrtohen, ndërkaq për herë të dytë Projektligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe ai për kimikatet.

Megjithëse kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së për të debatuar për gjendjen e arsimit fillor është shtruar prej kohësh, Ministria e Arsimit nuk e ka dorëzuar materialin bazë për diskutim, debati shtyhet për seancën e radhës, sikurse shtyhet edhe debati për ndryshimin e tarifave dhe politikat në sektorin e energjisë (kërkesën për debat e ka bërë grupi parlamentar i Partisë reformiste ORA). Rezultoi se Qeverisë i duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për debat parlamentar për tarifat dhe politikat e në lëmin e energjisë. Anëtarët e kryesisë kanë qenë të prerë se Qeveria dhe ministritë e saj duhet t’u përgjigjen me kohë dhe me cilësi kërkesave të Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që të organizojnë Javën e Kuvendit ( propozimin e ka bërë OSBE-ja) dhe kanë planifikuar që kjo të bëhet prej 21 deri më 25 maj. Gjatë kësaj kohe anëtarët e Kryesisë dhe deputetë të zonave do të vizitojnë shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës dhe do të kenë takime me rininë, me asambletë komunale dhe me qytetarë. Në këto cilat takime do të shpjegohet organizimi, kompetencat dhe puna e legjislativit të Kosovës.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit