Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Arsim...
, 24.04.2007
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, organizoi një dëgjim publik me SBASHK-un, lidhur me situatën në arsim. Si në letrën e hapur të SBASHK-ut, drejtuar institucioneve më të larta të vendit, ashtu edhe nga diskutimet e anëtarëve të këtij asociacioni dilnin shumë shqetësime e probleme të cilat janë të pranishme në arsimin kosovar. Faktorët që posaçërisht reflektohen në gjendjen e rëndë të arsimit vijnë në radhë të parë nga pozita e rëndë materiale e arsimit, e cila po e degradon mbarë rolin e procesit edukativo-arsimor dhe të studimeve , përkatësisht ajo po reflektohet në cilësinë e mësimeve dhe të studimeve . Pa mbështetje materiale është vështirë të mendohet një proces normal arsimor, ashtu si edhe zbatimi i reformës. Gjendjen në arsim po e rëndojnë edhe kushtet e rënda të punës , me gjithë faktin se Kosova ka Ligjin për arsimin fillor dhe atë të mesëm, ai nuk po zbatohet në praktik . Mësimdhënësit, u tha në këtë dëgjim publik, nuk kërkojnë luks, ata kërkojnë paga për të përballuar shportën elementare familjare .
Diskutuesit përmenden edhe shumë anomali tjera të cilat e shoqërojnë shkollën kosovare.
Në këtë vështirim ata kërkuan zbatimin e ligjeve dhe marrëveshjeve që arrihen ndërmjet SBASHK-ut dhe institucioneve më të larta të vendit . Pos ngritjes së të ardhurave personale diskutuesit kërkonin edhe sigurimin shëndetësor të mësimdhënësve , pajisjen e shkollave me mjete mësimore, si dhe krijimin e kushteve që shkollat të mos braktisen, as nga nxënësit, as nga mësimdhënësit. Ata shprehën edhe brengosjen për shakë të shuarjes së disa paraleleve parashkollore në disa mjedise të vendit.
Të gjitha këto, theksonin anëtarët e delegacionit të SBASHK-ut, kërkojnë një kujdes shumë më të madh të institucioneve më të larta të vendit për ruajtjen e dinjitetit të shkollës sonë. Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet ta përcaktojnë si prioritet të punës çështjen e arsimit .