Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit të Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kuvendit të Kosovës

, 24.04.2007




Komisioni i Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, e kryesoi Rifat Krasniq, kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhjen e vet të rregullt në të cilën, si pikë kryesore e rendit të ditës ishte Raporti për zjarret që kohëve të fundit shpërthyen në pyjet e Kosovës. Raportin në fjalë e paraqiti shefi ekzekutiv i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, z. Muzafer Luma.

Në mbledhjen e Komisionit, duke folur për zjarret që kohëve të fundit shpërthyen nëpër disa pyje të Kosovës, z. Luma theksoi se nga muaji janar të këtij viti e deri më sot në territorin e Kosovës janë evidentuar disa zjarre. Edhe pse zjarret nuk ishin të përmasave të mëdha dhe nuk kanë shkaktuar viktima në njerëz, megjithatë ato kanë shkaktuar 1.500 ha me pyje dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Për kundër faktit se në të shumtën e rasteve zjarret janë shkaktuar nga pakujdesia, në disa raste, sipas informatave të organeve kompetente, ato janë shkaktuar me qëllim nga persona të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm.

Në vazhdim z. Luma theksoi se deri tani në komunat Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Skenderaj, Drenas, Istog, Zubin Potok, Gjakovë, Deçan, Pejë, Shtërpce, Ferizaj, Kaçanik, Viti, Kamenicë, Prizren, Dragash, Suharekë, Vushtrri, Leposaviq dhe në Zveçan janë evidentuar zjarre të intensitetit më të dobët dhe se në këto vende shërbimet kompetente, para së gjithash pjesëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të punësuarit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës kujdestarojnë për çdo natë për të pamundësuar shpërthimin e serishëm të zjarreve.
Nga mbledhja e Komisionit të Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kuvendit të Kosovës