Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 25.04.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Kolë Berisha, e ka shtyrë shpalljen e konkursit për simbolet shtetërore të Kosovës. Megjithëse vendimi për shpalljen e konkursit për simbolet ishte marrë që më 12 mars dhe ishte arritur pajtimi edhe me Grupin Negociator, tash Kryesisë së Kuvendit i kishte ardhur (po nga Grupi Negociator) një propozim-vendim për shpalljen e konkursit për simbolet shtetërore të Kosovës, duke shtuar në te (pos flamurit dhe stemës) edhe himnin e Kosovës. Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë vlerësuar se para se të shpallet konkursi për simbolet, nevojitet edhe një takim me Grupin Negociator të Kosovës, për të precizuar detajet dhe ruajtur unitetin politik në vend.

Në pjesën tjetër të mbledhjes (pa praninë e shefave të grupeve parlamentare), Kryesia ka shqyrtuar propozimet për organizimin e administratës së Kuvendit dhe e ka miratuar Rregulloren për organizimin dhe për përgjegjësitë e administratës së Kuvendit.

Kryesia ka shqyrtuar edhe raportin financiar të Kuvendit për vitin 2006 dhe atë për tremujorin e parë për vitin 2007, si dhe projektet për investime kapitale për Kuvendin, me prioritet: meremetimi i çatisë dhe i fasadës së ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Duke shqyrtuar informatën lidhur me Qendrën Administrative-Protokollare në Gërmi, Kryesia e ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit që çështjen t’ia kalojë drejtësisë.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit