Lajmet e fundit

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, mbajtur në tryezën e rrumbullakët rajonale në Prishtinë me temë: “Praktikat e mbikëqyrjes parlamentare dhe të shoqërisë civile për proceset integruese në Unionin Evropian”

, 26.04.2007




E nderuara zonja Xhill Adller,
E nderuara zonja Margaret Strujif,
I nderuari zotëri Peci,
Të nderuar deputetë të parlamenteve nga Shqipëria, nga Bosnja e Hercegovina, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e rajonit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,

Jam i nderuar që m’u dha rasti të hap këtë tubim të rëndësishëm, këtë tryezë të rrumbullakët rajonale me temën: “Praktikat e mbikëqyrjes parlamentare dhe të shoqërisë civile të proceseve integruese në Unionin Evropian”. Prandaj, më lejoni që, në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Kosovës, të gjithë mysafirëve t’ju dëshiroj mirëseardhje në Kosovë, qëndrim të këndshëm këtu, ndërsa kësaj tryeze i dëshiroj punë të suksesshme.

Me disa nga ju kam pasur rastin të takohem edhe vitin e kaluar në një tryezë tjetër, por, të ngjashme me këtë të sotmen. Me disa të tjerë po takohem tani për herë të parë, sot dhe këtu.
Por, edhe për ju që nuk jeni për herë të parë në Kosovë, e edhe për të tjerët që për herë të parë ndodhen këtu, dua të them se Kosova sot, tetë vjet pas luftës dhe tetë vjet pas administrimit ndërkombëtar të saj, është duke bërë hapat e fundit në rrugën e gjatë e mjaft të mundimshme drejt zgjidhjes së statusit të saj politik e juridik.

Të nderuar të pranishëm,

Ju e dini se, nga qershori i vitit 1999, Kosova fillimisht u qeveris nga Kombet e Bashkuara, përmes misionit të UNMIK-ut, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërkaq, nga viti 2001, po qeveriset edhe nga institucionet e veta të qeverisjes së përkohshme, dhe sot lirisht mund të thuhet se këto institucione qëndrojnë fuqishëm në këmbë të veta dhe janë të gatshme t’i marrin të gjitha përgjegjësitë që ka një shtet i përsosur.

Gati një vit e gjysmë negociuam me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ishim vërtet kooperativë me bashkësinë ndërkombëtare, sepse ishim seriozë dhe të vendosur për një të ardhme më të mirë, sepse, siç do të thoshte Zola, “kishim përballë qëllimin drejt të cilit ecnim”. Bëmë edhe kompromise të nevojshme. Gjatë tërë kësaj kohe kishim dhe kemi ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

Por, pas negociatave katërmbëdhjetëmuajshe, për fat të keq të pasuksesshme, “Propozimi gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës”, i hartuar nga z. Ahtisari, tani gjendet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ne së shpejti presim aprovimin e një rezolute të re, e cila, duke e shfuqizuar 1244, Kosovës do t’ia njohë pavarësinë e mbikëqyrur.

Po ashtu, dua t’ju informoj se Kuvendi i Kosovës, në seancën plenare të mbajtur më 5 prill 2007, me 101 vota për dhe vetëm me një votë kundër, ka miratuar Deklaratën në përkrahje të Planit të presidentit Ahtisari dhe është zotuar për zbatimin e përpiktë të këtij plani, ndonëse jemi të vetëdijshëm për favoret që ky plan ia jep palës serbe në Kosovë. Por, ne jemi deklaruar se me serbët e Kosovës mund dhe duhet të jetojmë, por me regjimin serb – kurrë më.

E kam thënë publikisht disa herë deri më tash se Kuvendi i Kosovës, nëse ka nevojë, do të punojë edhe në dy ndërrime, në mënyrë që t’i përmbush të gjitha obligimet e veta që dalin nga Dokumenti i zotit Ahtisari në krijimin e infrastrukturës ligjore për Kosovën e pavarur.

Zonja e zotërinj,

Kosova është zotuar dhe zotohet se, si shtet i pavarur, do të jetë faktor stabiliteti në rajon e më gjerë. Do të nxitë dhe do të kultivojë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndërrajonale. Do të rrisë bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, pra edhe me Serbinë. Në Ballkan të gjithë jemi të vegjël. Asnjëri nuk jemi të vetëmjaftueshëm. Prandaj, kemi nevojë për njëri- tjetrin. Kemi nevojë për bashkëpunim, për një treg më të gjerë. Kosova do të angazhohet për integrime evropiane dhe euroatlantike. Kosova e sheh veten si pjesë përbërëse të familjes së madhe evropiane. Në atë familje të madhe, të gjithë do të jemi aleatë të njëri-tjetrit. Kjo është e ardhmja edhe e Kosovës, por edhe e tërë rajonit tonë. Dhe, për këtë duhet të angazhohemi të gjithë.

Tema “Mbikëqyrja parlamentare për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike” që shtroni sot në këtë tryezë, për Kosovën, por edhe për fqinjët tanë, në rajon e më gjerë, është shumë e rëndësishme. Ne mund të fitojmë shumë edhe nga përvojat e fqinjëve tanë.

Neve, mbase më shumë se kujtdo tjetër, na duhet mbikëqyrja parlamentare për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Shumë shpejt do të jemi shteti më i ri në botë, prandaj na duhen përvojat e të tjerëve.

Kuvendi i Kosovës, ndonëse i ri për nga mosha, ka bashkëpunim shumë të mirë me shumë parlamente të rajonit e të Evropës. Dëshirojmë që ky bashkëpunim, jo vetëm të vazhdojë, por të thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Ju garantoj se Kuvendi i Kosovës i ka dhe do t’i ketë dyert e hapura për bashkëpunim me të gjitha parlamentet e rajonit dhe më gjerë.

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që, edhe një herë, kësaj tryeze t’i dëshiroj punë të mbarë dhe organizatorin e saj do ta falënderoja nga zemra për një punë kaq të madhe që po bën.

Por, meqë për shkak të obligimeve që dalin nga një agjendë e përcaktuar më herët, përkundër dëshirës, nuk do të mund të jem më gjatë pjesë e kësaj tryeze, Ju kërkoj falje, me shpresë se, organizatori i kësaj tryeze do të më informojë për rezultatet përfundimtare të tryezës.

Punë të mbarë dhe suksese!

Ju falemnderit!

Prishtinë, 26 prill 2007