Lajmet e fundit

Deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të pagjeturve në Kosovë

, 26.04.2007




Sot është 27 Prilli – Dita e të pagjeturve në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ndan dhembjen e thellë me të gjithë ju, familjarë të të pagjeturve, që, edhe pas tetë vjetësh të luftës në Kosovë, ende nuk dini gjë për të afërmit tuaj, për të dashurit tuaj. Por, ata nuk janë vetëm të afërmit tuaj dhe nuk janë vetëm të dashurit tuaj. Ata janë edhe të afërmit tanë. Janë edhe të dashurit tanë. Janë të të gjithë neve. Janë tanët. Janë të Kosovës.

Prandaj, në këtë ditë përkujtimi për të gjithë ne, bashkëndjejmë me ju.

Bashkëndjejmë me familjet, të cilave u mungon kryefamiljari a zonja e shtëpisë, djali a djemtë, vajza a vajzat, reja a rejat, nipi a nipat, mbesa a mbesat. Familje të këtilla nuk ka pak sot në Kosovë. Kosovës, edhe zyrtarisht, sot i mungojnë 2.087 qytetarë të saj. Pas luftës ishin edhe më shumë.

I rëndë është ankthi i pritjes. Dhe, në këtë ankth të pritjes, më së rëndi e keni ju, familjarë të të pagjeturve. Por, nuk e kemi lehtë as ne. Kosova është e vogël dhe ajo ka nevojë për çdo qytetar të saj.

Urtinë tonë popullore: “Guri peshon më së rëndi në vendin e vet” po e përjetoni më së shumti ju, por po e përjetojmë edhe të gjithë ne, sepse kemi kërkuar bashkë, ju dhe ne, dhe po kërkojmë vazhdimisht të dimë se ku janë njerëzit tanë, ku janë ata që na mungojnë që nga lufta e fundit në Kosovë e këndej, pse nuk zbardhet fati i tyre, pse nuk na jepet përgjigje nëse janë të gjallë a të vdekur. I madh e i vogël i Kosovës, sot, dëshiron që të pagjeturit të kthehen në Kosovë. Këtu peshojnë më së rëndi. Kosova është vendi i tyre. Është atdheu i tyre.

Prandaj, Kosova ka borxh ndaj qytetarëve të saj. Ne kemi borxh ndaj jush, familjarë të të pagjeturve. Ju keni borxh ndaj të dashurve tuaj.

Ju do të jeni të qetë, ne do të jemi të qetë, Kosova do të jetë e qetë, vetëm kur të zbardhet fati edhe i të pagjeturit të fundit në Kosovë.