Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti gratë pjesëmarrëse të Konferencës rajonale
, 29.04.2007
Kryetari i kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha, priti sot në ambientet e Kuvendit gratë pjesëmarrëse të Konferencës rajonale të deputeteve nga Kosova dhe Maqedonia, organizuar nga Bordi i Grupit Joformal të Deputeteve të Kuvendit të Kosovës. Duke iu drejtuar pjesëmarrëseve , Kolë Berisha tha:”
Të nderuara deputete,
Zonja dhe zonjusha
Të nderuar pjesëmarrës të tjerë
Jam i privilegjuar që më jepet rasti t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Më lejoni që në fillim të shpreh kënaqësinë time që Parlamenti i Kosovës edhe në këtë mënyrë, krahas shumë aktiviteteve të tjera, po dëshmon rolin integrues përmes komunikimeve rajonale. Pas dy javësh po këtu në Prishtinë do të jemi nikoqir të Konferencës ndërparalemntare ku do të marrin pjesë përfaqësues të parlamenteve nga Vjena deri në Ankara. Tema e kësaj konferencë do të jetë : “Mbikëqyrja parlamentare e sigurisë publike”.
Në këtë kontekst e shohim shumë të dobishëm rolin e parlamenteve e veçanërisht rolin e grave parlamentare.
Parlamenti i Kosovës është parlament i ri për nga përvoja plurale , por ka arritur shumë suksese me të cilat mund të krenohet. Njëri prej tyre pa dyshim është struktura gjinore e anëtarëve të parlamentit përkatësisht roli aktiv që luajnë femrat deputete në punën e Kuvendit. Do të kishim dëshirë që ky proporcion i participimit të femrës të jetë edhe në institucionet e tjera dhe përgjithësisht në të gjitha hallkat e jetës shoqërore në Kosovë.
Pjesëmarrja e femrës në institucione dhe në vendimmarrje vazhdon të jetë edhe më tej sfidë për shoqërinë kosovare.
Ne do të vazhdojmë ta realizojmë këtë prioritet , sepse jemi të sigurt se ky është tregues i emancipimit të shoqërisë . Ne do të përkrahim aq sa mundemi duke e sanksionuar këtë qëndrim me dispozita, me ligje të veçanta e madje edhe me Kushtetutë. Dhe jam optimist se do të bëjmë progres . Tërë kjo është për t’u çmuar lart, por nuk do të mjaftojë nëse ju vetë nuk do të jeni aktive, kreative, entuziaste dhe të organizuara. Pra këshilla ime është që ato , femrat kosovare , të marrin sa më shumë iniciativën , të organizohen dhe të veprojnë.
Ju,duhet të keni edhe më shumë besim në forcat tuaja . Nëse i besoni ju vetës do të keni edhe besimin e të tjerëve.
Dy momente të veçanta janë në anën e femrës kosovare në këtë determinim të rolit më aktiv që do ta kenë në të ardhmen: e para – roli vital i femrës për mbijetesën e familjes kosovare. Kjo mund të shihet në çdo libër historie, apo broshurë sociologjie. Dhe e dyta , që është kryesore - rezultatet e punës së deritashme janë inkurajuese. Mbaj mend kohën, dhe nuk është larg, kur krenoheshim me çdo femër që merrte guximin për shkollim, ose për raste kur ndonjëra zgjidhte vetë partnerin jetësor. Këto tashmë janë vetëm në kujtesën historike . Realiteti kosovar është tjetër dhe femra pjesëmarrëse në jetën publike, është dukuri normale si kudo tjetër në vendet e zhvilluara. Shoqëria jonë kosovare tashmë është mësuar me pjesëmarrjen aktive të femrës në pozita drejtuese, në uniformën e policisë, në krye të bizneseve,etj. Edhe në Parlament. Kjo duhet vazhduar sepse tani më nuk duhet të mjaftohemi me kuota fikse ose përqindje të falura ,thënë kushtimisht, por me angazhim , me organizim të fitoni edhe më shumë vende. Në këtë mënyrë funksioni përfaqësues i Parlamentit do të realizohet në mënyrë shumë efikase ,jam i sigurt. Femra ka , gjysma e popullatës janë femra dhe femra të zonja po ashtu. Çështja është si të gjeni rrugën e depërtimit . Ose edhe më saktë si ta gjejmë, të gjithë bashkë, mënyrën e evitimit të barrierave e pengesave të cilat herë paraqiten në trajta juridike, herë si mentalitet arkaik e patriarkal por shpesh edhe si mungesë vullneti pikërisht në radhët e botës femërore.
Në këtë kontekst ky aktivitet, ardhja në Kosovë e mysafireve nga disa vende të rajonit dhe tema që keni zgjedhur për Konferencë është temë e mirë dhe në një moment të duhur. Pas pak ne do të kemi edhe zgjedhjet lokale edhe zgjedhjet e përgjithshme. Kjo do të jetë sfidë e fortë edhe për femrën kosovare. Por mbi të gjitha do të jetë shans i tyre.
Këmbimi përvojave me vendet e të tjera nga rajoni , përpunimi i varianteve të veprimit të organizuar , mbështetja e bashkëpunimi janë të mirëseardhura.
Prandaj mirëpresim këto lloj organizimesh. Jemi të interesuar të ofrojmë përkrahje . Jo mëshirë por shanse të barabarta dhe një status në të cilin femra të vendos vetë për fatin e saj. Kjo nuk është retorikë boshe as mëshirë për gjininë më të dobët. Jo! Përkrahja jonë për rolin aktiv të femrës është dëshirë e sinqertë. Është borxh ndaj të kaluarës dhe investim për të ardhmen e tërë shoqërisë.” theksoi Berisha.
Në emër të grave deputeteve për këtë pritje u falënderua bashkëkryesuesja e Grupit Joformal të Grave Deputete Gjylshene Berisha. Ajo tha se edhe më tutje do të vazhdojnë përpjekjet për realizimin e barazisë gjinore në institucione dhe në të gjitha segmentet tjera të jetës në Kosovë .Ndërkaq, në emër të Grave Deputete të Maqedonisë këtë tubim e përshëndet Cvetanka Ivanova , e cila u angazhua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Grave Deputete të Maqedonisë dhe Kosovës . Ivanova ftoi në një vizitë në Maqedoni gratë deputete nga Kosova.