Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha ngushëlloi familjen Gjevori dhe ministrin e Arsimit me rastin e vdekjes së veteranit të arsimit, Mehmet Gjevori

, 02.05.2007




Në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Berisha thuhet:

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e veteranit të arsimit shqip në Kosovë, Mehmet Gjevori. Kontributi i tij për arsimin në Kosovë ishte i jashtëzakonshëm, sepse bazën e kishte te dashuria e tij për Kosovën dhe për shkollën shqipe. Me të njëjtin entuziazëm u shqua gjithmonë, që nga ditët e Luftës së Dytë Botërore, kur erdhi për herë të parë në Kosovë, e pastaj edhe në të gjitha aktivitetet e tij për të luftuar analfabetizmin, në hartimin e abetareve dhe të teksteve mësimore dhe për të avancuar arsimin dhe shkollën në Kosovë. Me emrin e tij janë të lidhura të gjitha përpjekjet madhore në lëmin e arsimit. Ishte pedagog, autor tekstesh letrare, autor i disa abetareve, autor i monografive.

Me vdekjen e Mehmet Gjevorit, arsimi shqip dhe Kosova ka humbur një intelektual të përmasave të veçanta, i cili me punën e vet të palodhshme ka shkruar për të gjallë të tij emrin me shkronja të arta në përpjekjet e Kosovës për arsimim dhe për progres.

Mehmet Gjevori u shndërrua në simbol dhe në personalitet të admiruar të arsimit dhe të shkollës shqipe.

Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e këtij burri të madh të Kosovës”.