Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 07.05.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të mbahet të enjten, më 10 maj.

Fillimi seancës është rezervuar për pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë dhe përgjigjeve të Kabinetit qeveritar.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen për herë të parë Projektligji për shoqëritë tregtare, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Pjesa më e madhe e kësaj seance, ndërkaq, pritet të kalojë në debatin për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë ( kërkesë e grupit Parlamentar të PDK-së).

Deputetët do të shqyrtojnë Raportin financiar të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për shpenzimet e vitit 2006, të cilin do ta paraqesë ministri Shatri.

Kryesia bashkë me shefat e grupeve parlamentare kanë vendosur që të shtyhet për një seancë tjetër Raporti njëvjeçar mbi punën e Qeverisë, për shkak se të enjten nuk do të jetë në Kosovë kryeministri Çeku. Gjithashtu shtyhet për një seancë tjetër debati për rininë në Kosovë, si dhe ai për tarifat dhe politikat në sektorin e energjisë. Është thënë se kërkesa e Grupit Parlamentar ORA rreth tarifave duhet të përqendrohet vetëm në politikat energjisë, sepse tarifat janë kthyer në gjendjen e mëparshme dhe se çështja është e paobjekt.

Në po këtë seancë do të shqyrtohen: Rekomandimi i Komisionit për Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion për emërimin e anëtarëve të Komisionit kosovar të konkurrencës; Propozimi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor për themelimin e Këshillit të Kosovës për ujërat, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese që Projektligji për ndërmjetësimin t’i kthehet Qeverisë në ripunim.

Kryesia po sot ka vendosur që kërkesa e Grupit Parlamentar ORA, për ta ftuar në Interpelancë Kryeministrin Agim Çeku dhe kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së, për ta ftuar në Interpelancë Ministrin e Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, të kalojnë në procedurë të rregullt.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit