Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha u takua me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker

, 08.05.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti në një takim shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, në të cilin takim u bisedua për çështje aktuale që kanë të bëjnë me Kosovën dhe për Kosovën.

Ishte konstatim i përbashkët i dy bashkëbiseduesve se vizita e paradoditshme e ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Kosovë ishte shumë e rëndësishme dhe ajo kaloi në frymë të ofrimit të fakteve shumë të qëndrueshme të palës kosovare për përparimet që janë bërë në Kosovë viteve të fundit, fakte këto që do t’i shërbejnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të pasur pasqyrë sa më të qartë për Kosovën, në kohën kur do të bisedohet për Propozimin e z. Ahtisari për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, konstatoi se delegacioni i 15-të ambasadorëve të KS të OKB-së, që ishte në Kosovë, u nda shumë i kënaqur pas takimeve që pati me përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës, por edhe me vizitat që bëri në terren.

Të dy palët vlerësuan se po vijnë javë shumë të rëndësishme për Kosovën, prandaj, në këtë plan, dalin edhe punë e obligime edhe për Kuvendin e Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e siguroi shefin e UNMIK-ut, Ryker, se Kuvendi i Kosovës do të jetë i gatshëm të përmbushë të gjitha obligimet që dalin para tij nga Propozimi i z. Ahtisari, sidomos në aprovimin e ligjeve, po qe se projektligjet do të vijnë me kohë nga Qeveria e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

“Katër muajt e paraparë me Propozimin e z. Ahtisari për bërjen e Kosovës me infrastrukturën e domosdoshme ligjore do t’i shfrytëzojmë për punë, e jo për deklarata për opinion. Na pret punë e madhe dhe Kuvendi i Kosovës është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha ato që duhen, në momentin e duhur. Me bashkësinë ndërkombëtare i kemi hyrë procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe bashkërisht do ta përfundojmë këtë proces”, tha kryeparlamentari Berisha.

Në këtë takim u bisedua edhe për disa ligje të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës, që presin nënshkrim nga shefi i UNMIK-ut, dhe z. Ryker u zotua se shumë shpejt do t’i nënshkruajë ligjet që presin në Zyrën Ligjore të UNMIK-ut.
Kryeparlamentari Berisha u takua me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker