Lajmet e fundit
Berisha priti zv.shefin e UNMIK-ut, Stiven Shuk
, 09.05.2007
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot zëvendësshefin e UNMIK-ut, z. Stiven Shuk dhe ka biseduar me te për procesin e tanishëm në të cilin gjendet Kosova, me theks të veçantë për kalimin në Kuvend të ligjeve që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit.
Kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar z. Shuk me orarin e aktiviteteve në Kuvend dhe për kontaktet e vazhdueshme që mban me shefat e grupeve parlamentare dhe është shprehur i bindur se Kuvendi do ta kryejë me kohë pjesën e vet të punës për implementimin e statusit.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk, ka theksuar rëndësinë tepër të madhe që do të ketë periudha e tranzicionit për Kosovën dhe ka pohuar se do të këtë presion shtesë mbi Kuvendin për kalimin e një numri të madh të ligjeve që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit
“Jemi të përqendruar ta përmbushim përgjegjësinë tonë dhe nëse është nevoja legjislativi i vendit do të punojë me intensitet të shtuar”, ka theksuar kryeparlamentari Berisha.
Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë që ta vazhdojnë bashkëpunimin e afërt, në mënyrë që të gjitha këto objektiva të realizohen me kohë.