Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i seancës plenare
, 11.05.2007
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vazhdim të seancës plenare (e cila ka filluar dje), të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, kanë debatuar për arsimin fillor dhe atë të mesëm në Kosovë.
Në fillim të seancës deputeti Enver Hoxhaj ka paraqitur para deputetëve arsyet pse Grupi Parlamentar i PDK-së ka kërkuar që çështja e arsimit parauniversitar të shtrohet për debat në Kuvendin e Kosovës.
Para se të fillonte debati në këtë temë, ministri i Arsimit, Agim Veliu, ka paraqitur një ekspoze për gjendjen e arsimit fillor dhe të atij të mesëm në Kosovë, duke theksuar masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe punonjësit arsimorë të shkollave për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e cilësisë së mësimit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më pastaj, kanë zhvilluar një debat të gjerë për gjendjen e arsimit parauniversitar në Kosovë, duke theksuar infrastrukturën e pamjaftueshme shkollore, gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të punonjësve të arsimit dhe përparimin e pamjaftueshëm në reformimin e arsimit.
Shumica e folësve në Parlament kanë theksuar se duhet vepruar pa vonesë për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e arsimit, ndryshe kanë tërhequr vërejtjen deputetët, pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjata për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Pas përfundimit të debatit deputetët kanë miratuar këto rekomandime për përmirësimin e gjendjes në arsim:
1. Arsimi të jetë prioritet i Qeverisë, si pjesë e Programit të saj qeveritar dhe e buxhetit;
2. Të rivlerësohen të gjitha ligjet e arsimit në Kosovë dhe të shihen pengesat për zbatimin e tyre;
3. Të ngritet buxheti për arsim, pagat për arsimtarë, investimet kapitale nga suficiti buxhetor i vitit 2006, si dhe të ngriten shpenzimet për mallra dhe shërbime.