Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Siguri

, 16.05.2007




Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës me mbështetjen e KIPRED-it dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë mbajti sot një dëgjim publik lidhur me sulmet që janë ndërmarrë kundër agjensioneve të pavarura, të cilat janë themeluar dhe i raportojnë Kuvendit të Kosovës. Duke u bazuar në ngjarjet e fundit, Komisioni për Siguri ka bërë një vlerësim të rrezikshmërisë së këtyre agjensioneve. Rezultatet e vlerësimit kanë qenë shqetësuese, prandaj Komisioni e pa të udhës të organizojë këtë dëgjim publik me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Policor të Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Në fillim të këtij dëgjimi publik , kryetari i Komisionit, Naim Maloku, foli për bashkëpunimin shumë të ngushtë të këtij Komisioni me segmentet e sigurisë dhe të drejtësisë në vend. Ai në vijim tha se nuk është shkak për këtë dëgjim vetëm sulmet e fundit që ndodhën në Kosovë ndaj agjensioneve dhe bartësve të funksioneve të tyre, por qëllimi dhe synimi më i gjerë për ngritjen e nivelit të sigurisë për agjensionet në vend, si dhe për të gjithë qytetarët. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, ministri i MPB-së , Blerim Kuçi, dhe zëvendëskomisari i SHPK-së , Sheremet Ahmeti ,shpalosën para të pranishmëve disa nga angazhimet dhe synimet e këtyre subjekteve që kanë të bëjnë me luftimin e bartësve të sulmeve, kërcënimeve dhe përgjithësisht të krimit të organizuar në Kosovë. Në këtë frymë ministri Salihaj tha se jemi duke punuar në formimin e një Komiteti, i cili bashkë me disa mekanizma të tjerë , do të koordinojë punët në këtë fushë, për të kontribuuar më tej drejt sundimit të ligjit në vend.

Krahas gjithë këtyre angazhimeve, është e nevojshme të shikohen faktorët që ndikojnë në pasiguri, për t’ i lënë shteg një lufte më këmbëngulëse e më të gjerë në aspektin parandalues të krimit. Rasti i sulmit ndaj Anton Berishës po tregon se kryesit e sulmeve po identifikohen dhe dënohen. Kërcënimet dhe sulmet ndaj agjensioneve duhet të ndalen, ishin energjik folësit në këtë dëgjim publik, sepse vetëm kështu krijohet hapësirë për punë të rregullt të agjensioneve.

Diskutuesit vunë në pah se çështja e sigurisë në Kosovë është prioritet mbi prioritete, sidomos duke ditur faktin se tani jemi në fazën finale të përcaktimit të statusit të Kosovës.
Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Siguri