Lajmet e fundit

Dëgjim Publik në Komisionin Parlamentar për Arsim …

, 17.05.2007




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nimon Alimusaj, nënkryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me mёnyrёn e implememtimit tё Ligjit pёr kinematografi nr. 2003/22. Në këtë dëgjim mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Astrit Haraqija. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve z. Haraqija tha se gjendja në kinematografi nuk është e mirë, por ajo nuk është pa rrugëdalje, sepse Kosova ka potencial artistësh për prodhimin e filmit. Kosova ka Qendrën Kinematografike si dhe Ligjin për kinematografinë. Gjendjen në kinematografi e rëndon mungesa e buxhetit, e cila vjen si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike me të cilën ballafaqohet vendi. Në këtë situatë është i vështirë edhe zbatimi i Ligjit për kinematografinë, sepse kostoja financiare e implementimit të këtij Ligji është shumë e lartë. Për shkak të kufizimeve buxhetore edhe për Qendrën Kinematografike nuk ka qenë e mundur deri tash të sigurohet një linjë e veçantë buxhetore.

Edhe në këtë dëgjim publik krijuesit filmorë, me iniciativë të të cilëve për të dytën herë po zhvillohet ky debat publik shprehnin pakënaqësitë për ngecjet në zhvillimin e kinematografisë. Dëmi më i madh, si tha një diskutues, është se po krijohet një lloj vakumi në zhvillimin e kinematografisë, madje pikërisht në këto ditë kur është e nevojshme që Kosova të identifikohet para botës edhe nëpërmjet filmit. Të gjithë të pranishmit e qanin këtë hall, duke u munduar që edhe në këto rrethana të rënda Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Kosovës të bëjnë diçka më shumë që Kosova të mos mbetet së paku pa ndonjë film brenda vitit. Me theks të veçantë u fol edhe për nevojën e ndërtimit të një strategjie të mirëfilltë të zhvillimit të kulturës, e në këtë kuadër edhe të kinematografisë.
Dëgjim Publik në Komisionin Parlamentar  për  Arsim …