Lajmet e fundit

Në vigjilje të Javës së Kuvendit

, 18.05.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka mbajtur sot takim me gazetarë lidhur me Javën e Kuvendit, e cila do të fillojë më 21 maj.

Projekti “Java e Kuvendit” është njëri prej aktiviteteve të shumta që ka Kuvendi dhe ka për qëllim afrimin e legjislativit me qytetarët, ka thënë Berisha, i cili, në emër të Kryesisë dhe të Kuvendit, ka falënderuar OSBE-në për sponsorizimin e këtij aktiviteti .

Berisha më pastaj ka sqaruar se në Projektin “Java e Kuvendit” marrin pjesë: kryetari i Kuvendit, anëtarët e Kryesisë, deputetët, Sekretari i Përgjithshëm, si dhe përfaqësuesi i OSBE-së.

Ky ekip, brenda pesë ditësh, do t’i vizitojë pesë qendrat rajonale të Kosovës. Do të fillojë më 21 maj 2007, në Prizren (ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Therandës, të Sharrit, të Malishevës dhe të Rahovecit), dhe do të vazhdojë, më 22 maj 2007, me Pejën (ku do të jenë përfaqësuesit e Gjakovës, të Deçanit, të Junikut, të Klinës dhe të Burimit). “Java e Kuvendit” do të vazhdojë, pastaj, më 23 maj 2007, me Mitrovicën (me Skënderajn e me Vushtrrinë), ndërsa më 28 maj 2007 do të mbahet në Gjilan (me Artanën, me Vitinë, me Dardanën, më Ferizajn, me Kaçanikun dhe me Hanin e Elezit) dhe do të përfundojë me Prishtinën, sipas të gjitha gjasave, më 4 qershor 2007, por për këtë do të vendosim ndërkohë, ka thënë kreu i Kuvendit.

Në secilën qendër rajonale, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës do t’i kenë nga tri takime brenda ditës: në mëngjes - me nxënësit e shkollave të mesme, në mesditë - me anëtarët e Asamblesë Komunale dhe me përfaqësuesit e qendrave komunale që gravitojnë në qendrën përkatëse të rajonit dhe, pas drekës - me qytetarët e tjerë.

Në këto takime do të marrin pjesë edhe deputetët e atij rajoni, kurse gjatë takimeve, nxënësit dhe qytetarët do të shtrojnë pyetje për Kuvendin e Kosovës, për përbërjen e tij, për organizimin, për trupat punuese të Kuvendit, për mënyrën e funksionimit, për rolin e Kuvendit, për mënyrën e nxjerrjes së ligjeve, për marrëdhëniet e Kuvendit me institucionet e tjera, etj., kurse përfaqësuesit e Kuvendit do të përgjigjen në pyetjet e parashtruara.

Projekti “Java e Kuvendit” nuk ka karakter partiak e as karakter fushate politike, por thjesht është projekt i afrimit të Kuvendit të Kosovës me qytetarët e Kosovës, ka sqaruar Berisha.

Përgatitjet për ecurinë sa më të mbarë të këtij Projekti janë bërë me kohë në bashkëpunim me përfaqësuesit e OSBE-së, me përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës dhe me përfaqësuesit e komunave të Kosovës (gjegjësisht të qendrave rajonale) ku do të zhvillohen këto aktivitete.

Këshilltari kryesor ligjor i kryeparlamentarit, z. Ramë Manaj, në këtë konferencë me gazetarë,ka përvijuar elemente të takimeve në Javën e Kuvendit, të cilën e ka cilësuar si zbritje të Kuvendit në qendrat rajonale të Kosovës për takime të drejtpërdrejta me kategori të ndryshme të qytetarëve.

Në takime me nxënës do të shpjegohet roli dhe rëndësia e Kuvendit, procedura e miratimit të ligjeve, kurse udhëheqja e Kuvendit dhe deputetët e zonës do tu përgjigjen pyetjeve të nxënësve për funksionimin e Kuvendit, ka theksuar Manaj.

Në takimet me përfaqësuesit e asambleve komunale, pos punës së Kuvendit, do të shpjegohen aspekte të implementimit të rezolutës për Kosovën, që pritet të miratohet. Do të pasohet me bisedë për ligjet dhe problemet specifike të komunës. Do të bisedohet edhe për aspektet dhe mundësitë e bashkëpunimit vertikal Kuvend Komunal-Kuvendi i Kosovës dhe për relacionin deputet-qytetar.

Në takimin e pasdites me qytetarë do të bisedohet për format e bashkëpunimit të qytetarit me Kuvendin, për participimin e qytetarit në procedurat dhe miratimin e ligjeve, për vlerësimin e punës së deputetëve nga rajoni përkatës, si dhe për vizionin e qytetarëve për Kuvendin në të ardhmen.
Në vigjilje të Javës së Kuvendit