Lajmet e fundit

Nga vizita e kuvendarëve të Kosovës në Pejë

, 22.05.2007




Në ditën e dytë të Javës së Kuvendit, të iniciuar nga OSBE-ja, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha dhe anëtarët e Kryesisë: Sabri Hamiti, Ramë Buja, Naim Maloku, Gazmend Muhaxheri dhe Bislim Hoti, të shoqëruar nga deputetë nga komunat e rajonit të Pejës kanë vizituar Qytetin e Pejës dhe fillimisht janë takuar me nxënës dhe arsimtar të Gjimazit “Bedri Pejani”. Pyetjet e nxënësve dhe të arsimtarëve tyre për udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës dhe deputetët e zonës ishin përqendruar në kushtet e rënda materiale të arsimit dhe gjasat për përmirësimin e gjendjes: cilat janë prioritetet e Kuvendit të Kosovës për çështjen e arsimit; a do të përmbushen rekomandimet e kuvendit të Kosovës për përmirësimin e gjendjes në arsim; pse nuk rritet kuota e regjistrimit të brucoshëve në Universitetin Publik të Prishtinës; pse shkollat nuk kanë buxhet të tyre; pse arsimtarët e Kosovës vazhdojnë të kenë paga kaq të ulëta etj.

Deputeti nga Peja, Nimon Alimusa, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për arsim, i cili ka punuar për kohë shumë të gjatë në këtë shkollë është pajtuar se arsimi gjendet në pozitë jo shumë të mirë materiale, por ka thënë gjithashtu se janë bërë hapa të mirë në reformimin e arsimit për tu njësuar me atë evropian. Ai ka vlerësuar se investimet në arsim janë edhe investim i mençur ekonomik dhe këtë e ka ilustruar me përvojën e Irlandës. Alimusa ka theksuar se arsimi duhet të jetë çështje me prioritet kombëtar, gjimnazistët i ka inkurajuar me faktin se tanimë është përgatitur Ligji për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, i cili nxënësve dhe të studentëve tanë u mundëson integrimin në sistemin arsimor evropian.

Deputeti Xhevdet Neziri duke argumentuar që rritja e pagave të arsimtarëve varet nga akumulimi i ekonomisë është shprehur optimist se gjatë vitit të ardhshëm do të përmirësohet pozita materiale e arsimit. Anëtari i Kryesisë, Gazmend Muhaxheri, ndërkaq, ka theksuar se politikanëve iu takon t’i bëjnë politikat e mira të shpërndarjes së mjeteve për sektorë dhe fusha me rëndësi shoqërore, siç është arsimi. Anëtari tjetër i kryesisë, Ramë Buja nuk është pajtuar se mungon kuadri i mirë profesional për arsim cilësor. Ai ka pohuar se nëpër universitete të ndryshme të Evropës kanë përfunduar studimet një numër i studentëve nga Kosova, të cilët, kanë arritur rezultate të lakmueshme dhe të cilët po i ofruam, duan të kthehen dhe të punojnë në Kosovë.

Në mesditë udhëheqja e Kuvendit dhe deputetët e zonës kanë pasur një takim në Kuvendin Komunal të Pejës, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetarët e kuvendeve komunale të Deçanit, të Junikut, të Klinës dhe të Burimit, si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e ekzekutivit dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, Ali Lajçi, e ka përshëndetur vendimin e udhëheqjes së Kuvendit për të vizituar qendrat rajonale dhe biseduar me qytetarë, që të jenë sa më afër tyre dhe të dëgjojnë për rrjedhat dhe problemet e ndryshme, në mënyrë që qytetarët të informohen drejtpërdrejtë për punën e legjislativit të vendit, si dhe ndërlidhjet e pushtetit lokal me atë qendror.

Më pastaj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, duke i përshëndetur përfaqësuesit e pushtetit lokal të komunave të rajonit të Pejës ka shprehur gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve për rolin, punën dhe kompetencat e Parlamentit dhe dëgjuar sugjerime për organizim dhe efikasitet e dhe më të mirë të legjislativit. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për marrëdhëniet ndërmjet grupeve politike në Kuvendin e Kosovës, Berisha ka pohuar se në Kuvend zhvillohet debat i shlirshëm, se kultivohet dialog më të kulturuar se më parë, duke theksuar se të pakta janë vendimet e Kryesisë të cilat nuk arrihen me konsensus. Lidhur me përgatitjen e Kuvendit të Kosovës për periudhën 120 ditëshe, pas statusit, Berisha ka premtuar mobilizim të shtuar për të miratuar të gjitha ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisarit.

Në pyetjen se mos institucionet e Kosovës po vonohen përgatitjen dhe miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës, anëtari i Kyesisë, Sabri Hamiti, ka theksuar se në Kosovë ekziston një politikë shumë konsistente lidhur me simbolet dhe e ka quajtur fatlume të dhënën se në Kosovë të gjitha grupimet politike, madje edhe të gjithë qytetarët, pajtohen se Kosova duhet t’i ketë simbolet e veta shtetërore. Ai i ka garantuar bartësit e pushtetit lokalë të komunave të rajonit të Pejës se Kosova do t’i ketë simbolet e veta shtetërore në çastin e duhur. Në pyetjen tjetër rreth përgatitjeve për krijimin e Ministrisë së Jashtme, Hamiti ka thënë se Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të cilin e udhëheq, është pritur në shumë parlamente të vendeve të Unionit Evropian, ndërkaq ka shtuar se duhet të hapen zyra të ndryshme ekonomike, tregtare, kulturore etj edhe para krijimit të Ministrisë së Jashtme.

Debatit i kanë kontribuuar edhe deputetët Bislim Hoti, Gjylnaze Syla dhe Numan Baliq.

Në orët e pas ditës parlamentarët e Kosovës kanë pasur një takim me qytetarët e rajonit të Pejës, po në sallën e Kuvendit Komunal, në të cilit kanë bashkëbiseduar me ta lidhur me marrëdhëniet e legjislativit me qytetarët, për krijimin e simboleve shtetërore të Kosovës, për çështje të ndryshme të funksionimit të ligjit, sidomos për çështjet e pensioneve, përmirësimin e kushteve të arsimit etj.

Java e Kuvendit vazhdon nesër në Qytetin e Mitrovicës.
Nga vizita e kuvendarëve të Kosovës në Pejë