Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 25.05.2007




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca plenare e Kuvendit të mbahet të enjten, më 31 maj, ndërkaq për shkak të çështjeve të shumta në shqyrtim, seanca mundë të vazhdojë edhe ditën tjetër.

Kabinetit qeveritar, në fillimi të seancës, do tu t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë.

Në vazhdim do të procedohet me ligjet. Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ai për Statusin Civil, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrat e Statusit Civil, nr. 46/2004 (Ligji është miratuar me emërtimin: Ligji për librin amzë), si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin rrugor.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Qeverisë së Kosovës për punën njëvjeçare (2006), ndërkaq, pjesa më e madhe e kësaj seance pritet të kalojë në debatin për Rininë në Kosovë (sipas kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së) dhe debatin lidhur me ndryshimin e tarifave dhe të politikave në sektorin e energjisë (sipas kërkesë së grupit parlamentar ORA).

Në vazhdim seanca do të merret me shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës, me propozimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural për formimin e Këshillit të Ujërave (bartur nga seanca e kaluar), me shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese lidhur me Projektligjin për ndërmjetësim; me rekomandimin e të njejtit komision për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe me shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media lidhur me Raportin e Komisionit të Pavarur për Media.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, do të paraqesë interpelancë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të ORA-s.

Seanca pastaj do të procedojë me shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion: lidhur me Projektligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për energji; lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rregullatorin e energjisë, si dhe me rekomandimin lidhur me Projektligjin për adoptimin e Konventës së Këshillit të Evropës për krimin në fushën e kibernetikës.

Kryesia bashkë me shefat e grupeve parlamentare e ka shtyrë për seancën e radhës debatin për zbatimin e Rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës të 7 korrikut 2005, për çështjen e pensionistëve në Kosovë (kërkesë e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale), duke kërkuar nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale material bazë për debat.

Kryesia ka shtyrë për seancën vijuese shqyrtimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së për të debatuar për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave në Kosovë. Është shtyrë për ndonjë seancë tjetër edhe kërkesa e deputetit Ramadan Kelmendi për të debatuar për ndërtimin ilegal të banesave kolektive nga Qeveria e Serbisë në lagjet veriore të Mitrovicës, me kërkesën që Ministria e Ambientit të përgatisë material bazë për këtë çështje.

Kryesia ka mbështetur Rekomandimin e Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për rishpallje të konkursit për emërimin e Avokatit të Popullit, ndërkaq kërkesën e Bashkësisë së fshatit Rogovë për formimin e komunë së re, ia ka adresuar Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Kryesia, po në këtë mbledhje, e ka shqyrtuar edhe informatën e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mosdorëzimin e raporteve vjetore financiare nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe nga RTK-ja, duke kërkuar që raportet të dorëzohen në afatin sa më të shkurtër.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit