Lajmet e fundit

Nga vizita e kuvendarëve të Kosovës në Gjilan

, 28.05.2007




Në kuadër të projektit “Java e Kuvendit”, të sponsorizuar nga OSBE-ja, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha bashkë me anëtarin e Kryesisë, Xhavit Haliti dhe deputetë të zonës, kanë vizituar Gjilanin dhe me përfaqësues të pushtetit lokal të Gjilanit, Ferizajt,Vitisë, Dardanës, Novobërdës dhe Kaçanikut si dhe në takimin që kanë pasur me nxënës të shkollave të mesme të Gjilanit dhe me qytetarë, kanë folur për rolin e Kuvendit të Kosovës, për mekanizmat e tij, për funksionimin dhe kompetencat e legjislativit të vendit.

Në takime të cilat i ka udhëhequr kryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Xhemail Hyseni, është përshëndetur kjo nismë për kontakt me bazën.

Kryetari kuvendit Komunal të Dardanës (ish Kamenicës), Shaip Surdulli dhe nënkryetari i Vitisë, Jakup Jahiri, kanë ngritur shqetësimin e qytetarëve për ndryshimin e kufijve të komunave të tyre, qoftë me marrëveshje të shteteve të tjera ( pa Kosovën) qoftë duke falsifikuar harta dhe fakte. Kryetari i Novobërdës, Petar Vasiq, ndërkaq, është ankuar për mënyrën e krijimit dhe të shpërndarjes së buxheteve të komunave me numër të vogël të banorëve, si dhe ka shfaqur pakënaqësi me programin e pakt të RTK-së në gjuhen serbe. Udhëheqësit komunal të rajonit të Gjilanit kanë theksuar buxhetin e pamjaftueshëm të Komunës, ndërkaq kanë sugjeruar që për ligjet të cilat miratohen në Kuvendin e Kosovës, paraprakisht të njoftohen kuvendet komunale dhe të kenë të drejtë të bëjnë vërejtje a të japin sugjerime.

Nga bashkëbisedimi i parlamentarëve të Kosovës me përfaqësuesit e kuvendeve komunale ka rezultuar se nuk ka funksionuar mirë lidhja deputet-qytetarë, prandaj është kërkuar që nëpër kuvende komunale të hapen zyrat për deputetë nga ato komuna.

Duke e lavdëruar pjesëmarrjen në këtë takim të kryetarit të Novobërës, Vasiq, anëtari i Kryesisë Xhavit Haliti ka shprehur interesimin e klasës politike të Kosovës për përmirësimin e mirëqenies së komunave me popullsi serbe në Kosovë. Sa i përket programit televiziv në gjuhën serbe, Haliti, ndërkaq, ka theksuar se janë të caktuara frekuenca për programe radio dhe televizive në gjuhën serbe.

Kryeparlamentari Berisha ka thënë se RTK-aj, pos seancave plenare, rrallë gjë tjetër përcjell nga aktivitetet e Kuvendit, siç nuk e ka përcjellë as Javën e Kuvendit nëpër qendrat rajonale të Kosovës. Berisha në fillim të çdo takimi ka paraqitur një ekspoze për rolin, përbërjen dhe funksionimin e Kuvendi, ndërkaq, u është përgjigjur një varg pyetjesh të kuvendarëve komunalë, të nxënësve dhe të qytetarëve. Kështu Berisha ka spikatur mbi 80 ligje të miratuara në Kuvend, 34 ligje të tjera në procedurë, 126 pyetje të deputetëve për punën e Qeverisë, 12 interpelanca të kryeministrit dhe të ministrave të resorëve, organizimin e 93 dëgjimeve publike dhe shqyrtimin e127 peticioneve dhe të parashtresave të qytetarëve.

Kryetari i Komisionit legjislativ, Hydajet Hyseni ka folur për procedurat e miratimit të ligjeve dhe ka theksuar faktin që shumë prej tyre nuk janë nënshkruar nga PSS-ja, si dhe ka pohuar se nuk ka pasur bashkëpunim me zyrën Ligjore të UNMIK-ut në të gjitha fazat e draftimit të ligjeve.

Nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat dhe interesat e Komuniteteve, Sane Aliu, ka pohuar se në këtë komision, me deputetë të përkatësive të ndryshme etnike, ka pasur një konsensus të lakmueshëm të vendimeve, të cilat i kanë hapur rrugë miratimit të ligjeve.

Në takimin me nxënës të shkollave të mesme që është mbajtur në shkollën “Arbëria” kanë dominuar pyetjet e nxënësve për ngritjen e cilësisë së mësimit, mungesën e literaturës shkollore, kushteve për regjistrimin në Universitetin publik, si dhe për mungesën e objekteve kulturore për rininë.

Deputetja Gjylshen Berisha, ka theksuar se reformat në sistemin tonë arsimor synojnë aplikimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe kultivimin e mendimit kritik tek nxënësit. Ajo u ka sugjeruar atyre që të lexojnë edhe literaturën e bollshme alternative, atë në gjuhën angleze dhe ta përdorin Internetin. Deputetja Berisha u ka premtuar nxënësve se Komisioni për Arsim, anëtare e të cili është, do të kërkojë që në këtë vit, kur do të dyfishohet numri i maturantëve të diplomuar, të shtohet edhe kuota e regjistrimit në vitin e parë të Universitetit Publik të Prishtinës.

Qytetarët e rajonit të Gjilanit, në takim me parlamentarët e Kosovës, kanë shtruar pyetje të shumta që lidheshin me statusin e Kosovës si dhe kanë prekur problemet e shumta ekonomike dhe sociale, të cilat kërkojnë zgjidhje.

Nga vizita e kuvendarëve të Kosovës në Gjilan