Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli

, 29.05.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot  kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli, e cila shoqërohej nga deputetët Kastriot Islami, Fatos Hoxha, Besnik Bisha dhe Spiro Peçi.

Kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar homologen e tij shqiptare, zonjën Topalli me zhvillimet në Kosovë, për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë proces. Ai e ka falënderuar për ndihmën që kanë dhënë dhe po japin institucionet e shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës dhe sidomos për procesin krucial të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Tirana zyrtare është shndërruar kaherë në një avokat të fuqishëm të çështjes së Kosovës, ka thënë Berisha i cili, e ka vlerësuar lartë kohën që i kushtojnë Kosovës shtetarët shqiptarë në takimet me të huajt.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka përshëndetur në emër të Parlamentit të Shqipërisë dhe të delegacionit të cilin e kryesonte, duke e vlerësuar këtë vizitë ndryshe nga çdo vizitë tjetër, për faktin se kjo realizohet në Kosovë dhe në një moment historik, krejt të veçantë, të lindjes së shtetit ë Kosovës. Kosova është në krye të agjendës së bashkësisë ndërkombëtare: të OKB-së, të SHBA-ve, të BE-së, të Komisionit Evropian dhe sigurisht të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit, ka theksuar ajo.

Jo vetëm rajoni konsideron pavarësinë e Kosovës tashmë si një çështje të konsumuar që ka mbetur vetëm të formalizohet, ka thënë zonja Topalli, e cila ka theksuar se ka mbetur shumë pak kohë deri në momentin e votimit të Rezolutës për Kosovën në KS të OKB-së. Ne realisht besojmë se me formalizimin e kësaj pavarësie Kosova së bashku me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të të tërë Ballkanit, do të fillojë procesin e perspektivës evropiane, proces ky që kërkon shumë angazhime dhe shumë energji, ka thënë Topalli, e cila ka vlerësuar maturinë dhe vendosmërinë e klasës politike të Kosovës në këtë moment historik.

Kryeparlamentarja Topalli ka theksuar se pas marrëveshjes së asocim-stabilizimit Shqipëria e pret ftesën për anëtarësim në NATO dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Në një pyetje të gazetarit, pas takimit, se si e vlerëson kontributin e Kuvendit të Shqipërisë për çështjen e Kosovës, Berisha është shprehur se Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e tjera të saj kanë një meritë të veçantë për atë ç’kanë bërë dhe ç’po bëjnë për Kosovën. Kemi ë varg fushash në të cilat duhet të bashkëpunojmë. Do të hapet një rrugë më e lehtë për komunikim dhe për zhvillim të gjithanshëm, ka theksuar Berisha.

Kuvendi i Shqipërisë e ka pasur për detyrë ta mbështes çështjen e Kosovës ka thënë zonja Topalli, e cila ka përkujtuar Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, këtu e pesëmbëdhjetë më parë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, duke u përgjigjur për mundësinë e vetos ruse në KS të OKB-së, kryeparlamentarja e Shqipërisë është shprehur se nuk beson dhe nuk gjen asnjë arsye për të menduar variantin e vetos. Ajo është shprehur optimiste se Rezoluta për Kosovën do të kalojë në Këshillin e Sigurimit.

Berisha dhe Topalli janë pajtuar që dy parlamentet tona, por edhe institucione e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë, duhet ta thellojnë bashkëpunimin.
Kryeparlamentari Berisha priti kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli