Lajmet e fundit

Debat publik mbi Ligjin për Shoqëritë Tregtare

, 28.05.2007




Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion nën kryesimin e Ibush Jonuzit kryetar, zhvilloi sot debat publik në lidhje me Projektligjin për shoqëritë tregtare.

Në debatin e theksuar përveç anëtarëve të Komisonit, prezent ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Tregti dhe Industri me krye me Ministrin Bujar Dugolli, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, USAID-it, NDI, Riinvest dhe përfaqësuesit e Fakultetit Juridik nga Prishtina.

Gjatë debatit për këtë Projektligj, të gjithë të pranishmit u pajtuan se Kosova ka nevojë të ketë një ligj me të cilin do të rregullohen raportet ligjore dhe funksionale në lëmin ekonomik në Kosovë. Sepse deri më tash për këtë lëmi është aplikuar Rregullorja nr. 2000/16 e UNMIK-ut, e cila në këtë kohë dhe në këto rrethana është e pa aplikueshme dhe se shkakton probleme në terren. Ky Projektligj i ka 236 nene dhe është hartuar në harmoni me standardet evropiane. Në vazhdim u shfaq mendimi se ky Projektligj ka mjaftë gabime gjuhësore dhe terminologjike, dhe se është mjaftë voluminoz dhe njëkohësisht duhet thjeshtësuar, dhe se duhet t’i përmbajë edhe disa kaptina specifike për strukturën ekonomike të Kosovës.

Në fund të këtij debati për këtë Projektligj u murrë vendim që ekspertët nga lëmi ekonomik vërejtjet e veta dhe sugjerimet t’i japin në formë të shkruar në mënyrë që ky Projektligj me ndonjë ndryshim dhe plotësim të përmirësohet.
Debat publik mbi Ligjin për Shoqëritë Tregtare