Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 31.05.2007




Në seancën e sotme parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, kryeministri Çeku dhe ministrat e kabinetit të tij u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë.

Kryeministri, Agim Çeku, po në këtë seancë është paraqitur në Interpelancë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të ORA-s, lidhur me mënyrën e emërimeve të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Çeku, në fjalën e tij para deputetëve, ka theksuar se anëtarët e bordeve janë zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe sipas procedurave të parapara. Ai ka theksuar se anëtarët i kanë propozuar partitë politike, kurse Qeveria vetëm ia ka përcjellë ato AKM-së, e cila i ka emëruar në ato funksione. Shumica e folësve nga radhët e deputetëve të pozitës, kanë lavdëruar punën e bordeve, kurse deputetët e grupeve parlamentare opozitare kanë shprehur vërejtje të shumta për emërimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, duke theksuar partizmin dhe jokompetencën e tyre.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për Statusin Civil dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrat e Statusit Civil, nr. 46/2004. Projektligjet janë miratuar në parim, pasi Ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli ka prezantuar projektligjet e hartuara nga ministria, të cilën e udhëheq, kurse grupet parlamentare u kanë dhënë mbështetje. Njësoj është vepruar edhe me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin rrugor, të paraqitur nga ministri Qemajl Ahmeti. Projektligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërkaq, është tërhequr nga ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, për ta plotësuar.

Kryeministri Çeku po sot ka paraqitur para deputetëve Raportin e Qeverisë së Kosovës për punën njëvjeçare 2006. Ka pasuar një debat i gjerë për këtë raport, duke e lavdëruar nga një numër i deputetëve punën e Qeverisë së Kosovës gjatë vitit të shkuar, por ka pasur edhe tone kritike për punën e ekzekutivit të Kosovës.

Debati në këtë temë do të vazhdojë nesër në orën 10:00.

Nga punimet e seancës plenare