Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i punimeve të seancës plenare

, 02.06.2007




Në ditën e dytë të seancës parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vazhduar debati i deputetëve për Raportin e Qeverisë së Kosovës për punën njëvjeçare 2006, duke e mbështetur ose kritikuar atë, varësisht nga ajo se i takojnë radhëve të pozitës apo të opozitës.

Më pastaj është zhvilluar debat edhe për ndryshimin e tarifave dhe të politikave në sektorin e energjisë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste ORA.

Fillimisht, Ministri i Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çeku, ka paraqitur para deputetëve një ekspoze për politikat e ministrisë, të cilën e udhëheq. Ai e ka quajtur të domosdoshme përmirësimin e menaxhimit të KEK-ut dhe sidomos ndërtimin e termocentralit të ri Kosova C, me vënien në funksion të të cilit, Kosova do të plotësonte nevojat e veta për energji elektrike dhe do të kishte mundësi eksporti të energjisë.

Prodhimin e mjaftueshëm të energjisë elektrike deputetët e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për ringjalljen e ekonomisë së Kosovës, por kanë bërë vërejtje për menaxhimin jo të mirë të KEK-ut, që nga prodhimi e deri tek inkasomi i energjisë. Ka pasur zëra se resurset energjetike të Kosovës, si thëngjilli, duhen shfrytëzuar me plan, që t’i kenë edhe gjeneratat pas neve, kurse të tjerë deputet kanë ngritur shqetësimin e tyre për rrënimin e shëndetit të popullsisë, nëse politika jonë energjetike mbështetet vetëm në prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet thëngjillit.

Debati për rininë e Kosovës është shtyrë për ndonjë seancë tjetër.

Seanca i vazhdon punimet të hënën, më 4 qershor.

Nga vazhdimi i punimeve të seancës plenare