Lajmet e fundit

U mbajt Java e Kuvendit në Prishtinë

, 05.06.2007




Në ditën e fundit të Projektit “Java e Kuvendit”, i sponsorizuar nga OSBE-ja, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha dhe anëtarët e Kryesisë: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Naim Maloku, Gazmend Muhaxheri dhe Bislim Hoti, të shoqëruar nga deputetë nga komunat e rajonit të Prishtinës kanë bashkëbiseduar sot me nxënësit e shkollave të mesme e me qytetarë, si dhe me deputetët e Asamblesë Komunale të Prishtinës dhe përfaqësues të pushtetit lokal të qendrave përreth kryeqytetit.

Takimin e parë me nxënës të shollave të mesme kuvendarët e Kosovës e kanë mbajtur në ndërtesën e gjimnazit “Sami Frashëri”, ndërkaq drejtoresha e kësaj shkolle, Kumrie Sahiti, ka spikatur nivelin solid të gjimnazistëve të cilët pos lëndëve të tjera mësojnë edhe katër gjuhë botërore dhe kanë arritur notën mesatare në nivel shkolle 4.3.

Kanë pasuar pyetjet e shumta të nxënësve për përbërjen e Kuvendit, për mënyrat e organizimit të punës, për trupat punuese të Kuvendit, për proceduarat e nxjerrjes së ligjeve, sa zbatohen ligjet e miratuara, në ç’shkallë ka arritur niveli i kontrollit të Qeverisë nga Parlamenti, çka po ndërmarrin institucionet për përmirësimin e gjendjes në arsim etj.

Duke iu përgjigjur pyetjes se sa është funksional Kuvendi kur rezolutat e miratuara ka ndodhur të zhvleftësohen pak minuta pas miratimit, kryeparlamentari Berisha ka theksuar se rezolutat e miratuara kanë pasur efekt politik dhe këtë e ka ndërlidhur edhe me Rezolutën historike të Bujanit, e cila megjithëse është zhvleftësuar sa e sa herë, ka vazhduar ta ketë peshën e saj të jashtëzakonshme. Ndërkaq, duke u ndërlidhur me pyetjet për bllokadat e mundshme të legjislativit të Kosovës nga vota e dyfishtë e minoriteteve, që parashihet me pakon e Ahtisarit, Berisha ka thënë se kjo është paraparë vetëm për dy legjislaturat në vazhdim dhe pastaj do të rishikohet. Deputet e tjerë si: Bajram Kosumi, Nekibe Kelmendi, Qibrie Hoxha, Sala Berisha e të tjerë, kanë theksuar se Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur Planin e Ahtisarit, pikërisht për të arritur statusin dhe krijuar kushte më të mira jetese për gjeneratat e reja të Kosovës.

Në pyetjen se a kanë imunitet deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, është përgjigjur në mënyrë mohuese, duke theksuar se “pos autoritetit moral, nuk kemi imunitet në kuptimin tradicional të fjalës”. Ai, ndërkaq, ka thënë se pavarësisht kësaj deputetët punojnë për krijimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore me autoritet.

Kryeparlamentari Berisha i është përgjigjur pozitivisht pyetjes se a do të jetë i gatshëm Kuvendi i Kosovës që gjatë 120 ditëve pas miratimit të rezolutës për Kosovën nga KS i OKB-së t’i miratojë tetëmbëdhjetë ligjet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, kurse anëtari i Kryesisë Xhavit Haliti, madje ka pohuar se “nëse është nevoja ligjet do t’i miratojmë për tetëmbëdhjetë ditë”. Ai, ndërkaq, ka pohuar se i kupton shqetësimet e nxënësve dhe impulsitetin e tyre, por ka theksuar gjithashtu se nuk beson se Grupi Negociator i Kosovës do të bjerë në grackën e kujdoqoftë në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Haliti i ka këshilluar nxënësit të jenë të vetëkontrollueshëm në procesin, të cilin po e kalojmë dhe të ruhen nga tendencat, të cilat do ta destabilizonin Kosovën.

Në takimin e mesditës që udhëheqja e Kuvendit dhe deputetët e zonës kanë pasur në Kuvendin Komunal të Prshtinës, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetarët e kuvendeve komunale dhe shefat e ekzekutivit të Lipjanit, të Shtimes dhe të Besianës kanë dominuar pyetjet për marrëdhëniet ndërmjet institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal, si dhe janë konstatuar grantet e pamjaftueshme për komunat, limitimi i mjeteve financiare, të cilat mund t’i vjelë komuna, moszbatimi i mjaftueshëm i ligjeve dhe mungesa e akteve administrative. Udhëheqësit komunalë të Prishtinës, ndërkaq, kanë kërkuar që kryeqyteti të ketë prioritet në Buxhet dhe investime, për çka, parimisht, janë pajtuar kuvendarët Kosovarë.

Deputeti Behxhet Brajshori ka pohuar se pas statusit do të miratohet Ligji për financat lokale, kurse Ali Sadriu ka theksuar se Ministria e Ekonomisë dhe financave duhet ta ndihmojnë inkasimin e mjeteve financiare nga ana e komunave. Për arsyet e ngecjes ës Projektligjit për pensionet dhe atë për Punën kanë folur deputetet Flora Brovina dhe Zylfie Hundozi, por edhe pjesëmarrësit tjerë i kanë kontribuuar këtij takimi.
U mbajt Java e Kuvendit në Prishtinë