Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ...

, 11.06.2007




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Hydajet Hysenit, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar procesin e hartimit të Dokumentit Kushtetues. Shumica e anëtarëve të Komisionit kanë vlerësuar se hartimi i Kushtetutës është çështje tepër e rëndësishme për ta lënë në duart e një grupi të ngushtë njerëzish (Komisioni Kushtetues), shpeshherë pa kredencialet e nevojshme profesione dhe duke e anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe Komisionin për Legjislacion. Me këtë rast komisioni i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit që të kërkojë informatë nga Komisioni Kushtetues lidhur me hartimin e tekstit të Kushtetutës së Kosovës dhe që e gjithë proceduara e përgatitjes dhe e miratimit saj, të kalojnë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës dhe mekanizmave të tij.

Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese po sot ka shqyrtuar edhe proceduarat për emërimin e Avokatit të Popullit. Komisioni ka krijuar një Grup Punues për harmonizimin e rregullave dhe proceduarave të Kuvendit të Kosovës për emërimin e Avokatit të Popullit me Rregulloren e UNMIK-ut 2007/15, për ndryshimin e Rregullores 2006/6 mbi institutin e Avokatit të Popullit.

Një pjesë e mirë e mbledhjes së sotme të Komisionit për Legjislacion i është kushtuar zbatimit të Rregullores së Punës të Kuvendit, kurse pretekst ka qenë seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, në të cilën sipas pajtimit të arritur në mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare (për të ngritur efikasitetin e punës së legjislativit), është kufizuar koha për debat, sipas fuqisë së grupeve parlamentare. Kjo, është thënë në takim, bie ndesh me parimin për të drejta të barabarta të deputetëve.

Po në këtë mbledhje komisioni i ka shqyrtuar vërejtjet e UNMIK-ut, në Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2003/25 për kadastrin, kurse çështjen për amendamentimin e këtij ligji ia ka deleguar Komisionit Parlamentar për Shërbime Publike.

Komisioni, ndërkaq, ka vlerësuar se Projektligji për shoqëritë tregtare, ka bazë juridike për procedim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës.
Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ...