Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një grup bursistësh të Fondacionit Konrad Adenauer–Stiftung

, 12.06.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha ka pritur sot njëmbëdhjetë bursistë të Fondacionit Konrad Adenauer – Stiftung, të cilët studiojnë në fakultete të ndryshme në Kosovë, por mbështeten nga ky fondacion gjerman.

Kryeparlamentari Berisha e ka falënderuar fondacionin për bursat që ka ndarë për këta studentë, si dhe për mbështetje të projekteve të tjera, të rëndësishme për Kosovën. “Mbështetja e studentëve me bursa është investim i mirë për të ardhmen e Kosovës”, ka theksuar Berisha, i cili ka përkujtuar se Kosovën do ta trashëgojë rinia. Ai pastaj u ka shpjeguar studentëve për punën e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të vendit në prag të realizimit të pavarësisë së Kosovës.

Bursistë të Fondacionit Konrad Adenauer – Stiftung kanë shtruar pyetje të shumta për funksionimit të Kuvendit, të cilave kryeparlamentari Berisha u është përgjigjur me kënaqësi. Ata kanë pohuar se studiojnë me përkushtim fushat, të cilat i kanë zgjedhur dhe se mezi presin t’ia fillojnë punës dhe t’i shërbejnë përparimit të vendit.
Kryeparlamentari Berisha priti një grup bursistësh të Fondacionit Konrad Adenauer–Stiftung