Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ...

, 18.06.2007




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar propozimin e Grupit Punues të Komisionit, për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullave të procedurës të Kuvendit për emërimin e Avokatit të Popullit, zëvendësit kryesor dhe zëvendësve tjerë dhe në fund, pasi i ka plotësuar ato me propozimet e dala në takim, edhe i ka miratuar.

Grup Punues ka pasur për objektiv që t’i harmonizojë rregullat dhe proceduarat e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit me Rregulloren e UNMIK-ut 2007/15, për ndryshimin e Rregullores 2006/6 mbi institutin e Avokatit të Popullit.

Risi me rregullat e reja është se zgjidhet vetëm Avokati i Popullit, i cili pastaj propozon katër zëvendësit e tij, njëri prej të cilëve është zëvendës i tij kryesor. Lista e zëvendësve miratohet në pako (nëse nuk miratohet nga Kuvendi, Avokati i Popullit përgatit listën e re të propozimit).

Është paraparë që për t’u zgjedhur kandidati (në votim futen tre kandidat të përzgjedhur) Avokat i Popullit, nevojiten shumica e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës (së paku 61 vota për). Nëse në raundin e parë të votimit asnjë kandidat nuk e fiton numrin e nevojshëm të votave, në raundin e dytë garojnë dy kandidatët që kanë fituar numër më të madh të votave. Nëse nuk fiton prapë, në raundin e tretë votohet vetëm për kandidatin, i cili ka marrë më shumë vota. Nëse prapë kandidati nuk i fiton numrin e mjaftueshëm të votave, Kryesia e Kuvendit ka kompetencë që votimin ta quajë të përfunduar dhe ta përsërisë procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, që nga shpallja e konkursit.

Anëtarët e Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese kanë insistuar që konkursi për Avokatin e Popullit të shpallet sa më parë. Ata kanë kërkuar që të eliminohen mundësitë e bllokadave të përhershme për zgjedhjen e këtij institucioni të rëndësishëm publik, dhe në këtë vështrim kanë vlerësuar se nevojiten kontakte të përhershme me Zyrën Ligjore të UNMIK-ut.

Komisioni po në këtë takim ka shqyrtuar edhe banë juridike të tri ligjeve të reja në procedurë parlamentare.
Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ...