Lajmet e fundit

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar e mbështeti Raportin e këshilltarit për integrim evropian, Alain Barrau

, 18.06.2007




Nga Komisioni Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantike duhet të krijohen (gjatë Legjislaturës së ardhshme) dy komisione parlamentare: Një komision për punë të jashtme, në të cilin do të zhvillohej diplomacia parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe një Komision parlamentar për çështje evropiane, i cili do të merrej me çështje të integrimit në BE (edhe pse ende nuk ka filluar kandidatura për anëtarësim). Ky është vlerësimi bazë i Raportit të këshilltarit për integrim evropian, Alain Barrau, raport të cilin anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, nën drejtimin e Sabri Hamitit, kryetar i komisionit, e kanë vlerësuar shumë korrekt, profesional dhe përvijues në fushën e krijimit të politikës së jashtme të Kosovës.

Themelimi i Komisionit për integrim evropian, thuhet në raport, do të mbulojë të gjitha iniciativat e politikave dhe legjislacionit evropian në Kuvendin e Kosovës dhe, në përgjithësi, futjen e tyre në demokracinë e vendit. Themelimi i këtij komisioni, vazhdon raporti, do të mundësojë (në nivel parlamentar) balancimin e dhe plotësimin e bashkërendimit të përpjekjeve të bëra, tanimë, nga Qeveria me krijimin e Agjencisë për Integrim Evropian. Raporti flet edhe për krijimin, në të ardhmen, të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe rrjetit diplomatik të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit janë pajtuar se komisionet që do të formohen, pos përzgjedhjes së deputetëve me afinitet dhe përkushtim për politikë të jashtme dhe integrim evropian, duhet të kenë edhe staf përcjellës shumë profesional.

Kryetari i Komisionit, Sabri Hamiti, i ka njoftuar anëtarët e Komisionit se z. Barrau, do të vijë në Kosovë shumë shpesh për të ndihmuar në saktësimin e programit dhe përgatitjen e vazhdimeve të raportit të tij. Ai ka thënë gjithashtu se në një mbledhje të ardhshme të Komisionit do të marrë pjesë edhe do të raportojë edhe përfaqësuesi i Agjencionit për Integrim Evropian, z. Shenoll Muharremi.
Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar e mbështeti Raportin e këshilltarit për integrim evropian, Alain Barrau