Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit Berisha në tryezën e NDI-së

, 19.06.2007




Kam nderin që, në fillim të fjalës time, t’i përshëndes të gjithë mysafirët e kësaj tryeze, si: përfaqësuesin e NDI-së për Kosovë, z. Binda, përfaqësuesin e NDI-së nga Uashingtoni, z. Xhonson, si dhe zyrtarët e tjerë të NDI-së, të OSBE-së, të USAID-it, të AER-it dhe të organizatave të tjera që bashkë me ne angazhohen për avancimin e punës dhe të procedurave demokratike në Kuvendin e Kosovës. Përshëndes, po ashtu, anëtarët e Kryesisë, shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë të pranishëm të Kuvendit të Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Është nder dhe privilegj për mua që, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim personal, ta falënderoj përzemërsisht Institutin Nacional Demokratik (NDI), jo vetëm për organizimin e kësaj tryeze të rrumbullakët për të debatuar për një çështje, sipas meje, sa interesante, po aq edhe të nevojshme, madje, do të thosha, edhe shumë të domosdoshme për rrethanat kosovare, me temën bosht: “STANDARDET NDËRKOMBËTARE PËR LEGJISLATURAT DEMOKRATIKE”, por, edhe për ndihmën e parezervë që po ia jep NDI, tash e sa kohë, Kuvendit të Kosovës.

Por, jo vetëm kaq.

Gatishmëria për ndihmë në çdo kohë dhe në çdo lëmi; lehtësia në komunikim me personeli; përgatitja profesionale e secilit nga punëtorët e këtij Instituti; fleksibiliteti dhe pranimi i specifikave që, realisht, i ka Kosova dhe institucionet e saj posaçërisht në këto momente nëpër të cilat po kalon ajo; pastaj, kultura e bashkëpunimit me të gjithë stafin e Sekretarisë, me deputetët, me komisionet e Kuvendit; me grupet parlamentare; me organet drejtuese; me kabinetin, etj. janë vetëm një pjesë e vlerave që posedon ky Institut.

Dhe, pikërisht falë këtyre vlerave që ka NDI-ja, por edhe asociacionet e tjera të këtij lloji që veprojnë në Kosovë, e të cilat, përherë i kanë pasur dhe do t’i kenë të hapura dyert e Kuvendit dhe të zyrës time, Kuvendi i Kosovës, krahas vështirësive dhe ngecjeve eventuale në ndonjë aspekt, si pasojë e rrethanave ekzistuese në Kosovë, megjithatë, nëse përqendrohemi në periudhën mars 2006 – maj 2007 të punës së tij, ka arritur rezultate të kënaqshme.

Nisma e quajtur Plani i Standardeve për Kuvendin e Kosovës, i 1 qershorit të vitit të kaluar, për reformimin e punës së këtij Kuvendi, i përcjellë me amendamentimin e Rregullores së punës së Kuvendit, kishte për qëllim funksionalizimin më të mirë të mekanizmave mbikëqyrës në punën e Qeverisë, duke e lehtësuar dhe duke e institucionalizuar procedurën e pyetjeve, të kërkesave për interpelancë dhe - është lehtësuar përgatitja e agjendës për seancat plenare. Kjo ka mundësuar që, brenda periudhës mars 2006 – maj 2007, në procedurë të rregullt, në 37 seanca të mbajtura plenare, të parashtrohen 136 pyetje parlamentare, të mbahen 7 interpelanca, të organizohen 2 mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve, të organizohet 1 hetim parlamentar dhe një auditim i jashtëm; të organizohen 74 dëgjime publike; të shtrohen mbi 80 ankesa dhe peticione publike; të zhvillohen 8 debate për fusha të ndryshme, ndërkaq aktualisht ka 20 ligje në procedurë, 38 ligje të shpallura, 41 ligje të miratuara dhe 58 projektligje të propozuara.

Momentalisht, krahas përgatitjes së pjesës së dytë të Planit të standardeve, të cilat do t’i avancojnë edhe më shumë procedurat brenda Kuvendit, sidomos në ngritjen e transparencës së punës së Kuvendit (e që kërkon një ndryshim-plotësim fare të vogël të Rregullores së punës dhe për ta bërë më efikase punën në miratimin e fluksit të madh të ligjeve që parashihen me Pakon e Ahtisarit), do të formojmë një komision ad hoc për hartimin e Rregullores së re të punës së Kuvendit.

Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës ka bashkëpunim me Konsorciumin e katër parlamenteve, si: me Asamblenë Nacionale Franceze, me Bundestagun Gjerman, me Parlamentin Slloven dhe me atë belg, por jo vetëm këto. Ndërkaq, kohë më parë, kemi nënshkruar një Memorandum të mirëkuptimit me Bibliotekën Kombëtare Universitare të Prishtinës, dhe një tjetër me Arkivin e Kosovës, për çka jemi duke e përgatitur lokalin përkatës për bërë një bibliotekë dhe një arkiv, vërtet solid, për nevoja të parlamentarëve kosovarë. Kuvendi i Kosovës po thuaj se për çdo ditë vizitohet nga parlamentarë të parlamenteve evropiane. Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të marrin pjesë në trajnime dhe në tryeza të tilla, siç është kjo e sotmja.

Në aspektin e përmirësimit të kushteve për punën e komisioneve, me largimin e Qeverisë nga ndërtesa e Kuvendit, nga tri sa kishim para një viti, tani kemi pesë salla, pa e llogaritur sallën e madhe për dëgjime publike; të gjithë anëtarët e Kryesisë, kryetarët e komisioneve, ata të grupeve parlamentare, pos zyrave të pajisura me inventar, kanë edhe salla për mbledhjet e grupeve parlamentare, si dhe, nga një asistent.

Duke e ndier nevojën për në staf profesional që do ta mbështesë punën e komisioneve, por edhe për disa departamente në kuadër të Sekretarisë, Kuvendi ka shpallur konkurs për një numër të konsiderueshëm kandidatësh dhe këto ditë ka filluar procedura e pranimit të tyre. Në shtator, do t’i shpallim nevojat edhe për një kontigjent tjetër të personelit administrativ.

Mendoj se një segment tjetër, me të cilin mund të krenohemi, është transparenca në punën tonë. Transparenca ka qenë prioritet i padiskutueshëm dhe vazhdon të mbetet edhe më tutje. Në favor të kësaj duhet cekur se shumë shpejt do ta kemi edhe një ambient të veçantë për gazetarë, brenda hapësirave të Kuvendit, duke bërë kështu edhe një hap drejt përmbushjes projektit për transparencë dhe kushte pune për media.

Në vazhdën e këtyre të arriturave, mund të përmendet edhe mënyra e hartimit të buxhetit të Kuvendit të Kosovës. Që nga funksionimi i Kuvendit të Kosovës, për herë të parë, hartimin e buxhetit vjetor e ka bërë Komisioni për buxhet dhe financa, në bashkëpunim me administratën e Kuvendit. Kur është fjala te buxheti, vlen të theksohen kursimet dhe racionalizimet e shpenzimeve, pa e dëmtuar procesin e punës.

Të nderuar pjesëmarrës,

E kam thënë edhe më parë, dhe po e përsëris edhe tani, se asnjëherë dhe askund në botë nuk ka mjaft demokraci, transparencë, etj., prandaj kjo çështje mbetet si obligim i vazhdueshëm edhe për Parlamentin e Kosovës. Ne jemi në ecje, të hapur dhe të interesuar për avancime të përditshme në punën tonë. Në këtë kuadër shpresoj se tryeza e sotme do të sjell propozime të dobishme në këtë drejtim. Dhe, krejt në fund, ju falënderoj për iniciativën dhe ju uroj punë të mbarë.

Ju falemnderit!