Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 21.06.2007
Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës,të kryesuar nga Kolë Berisha , kryetar i Kuvendit, ministrat e resoreve u janë përgjigjen pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj ministri i Energjetikës dhe i Minierave, Ethem Çeku, është paraqitur në interpelancë ( me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste ORA, lidhur me dhënien e licencës për hulumtim kompanisë “ Kosovo Resorce Company L.L.C.”nga ana e Këshillit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Çeku ka shpjeguar se çështjen e dhënies së licencës për hulumtim kësaj kompanie e ka ngritur në nivelet më të larta dhe se shqetësimin e MEM-it për mosrespektim të dispozitave ligjore nga ana e KPMM-së ia ka përcjell PSSP-së dhe i ka rekomanduar ati që përkohësisht t’i pezullojë aktivitetet licencuese të KPMM-së.
Edhe shumica e deputetëve, të cilët kanë marrë pjesë në debat, e kanë vlerësuar të dëmshme dhënien e licencës për hulumtim të rezervave të mineraleve në Çukën e Drazhnjës (në Batllavë), duke konstatuar se për hulumtime të tilla nuk ka pasur nevojë, sepse ato shumë kohë përpara i ka kryer ndërmarrja “Trepça”. Në fund të debatit, me shumicë votash është vendosur që Komisioni për Tregti dhe Industri, në bashkëpunim me grupet parlamentare, të përgatis rekomandimet lidhur me licencën e diskutueshme të KPMM-së, të cilat pritet të miratohen në seancën e ardhshme të Kuvendit ( më 28 qershor).
Seanca e sotme ka shqyrtuar pesë projektligje. Për herë të parë ka shqyrtuar: Projektligjin për barnat narkotike, substancat psikotrope dhe prekursorë, atë për Dokumentet e udhëtimit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale, si dhe atë për Rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Për herë të dytë, ndërkaq ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për likuidimin dhe riorganizimin e personave juridik në falimentim.
Po në këtë seancë deputetët kanë mbështetur rekomandimin e Komisionit Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullave të procedurës të Kuvendit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësve të tij.
Deputetët nuk e kanë mbështetur kërkesën e Grupit Parlamentar për Integrim për shqyrtim të tejkalimit të kompetencave nga Grupi Negociator i Kosovës.