Lajmet e fundit

Udhëheqja e Kuvendit priti një delegacion të Bundestagut gjerman

, 26.06.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit ka pritur sot një delegacion të Bundestagut gjerman, anëtarë të Komisionit për Çështje të Mbrojtjes: Andreas Weigel, Paul Schäfer, Winfried Nachtwei, dhe dr. Beate Hasenjäger,udhëheqëse e Zyrës së Komisionit për Çështje të Mbrojtjes në Bundestag, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Gjermanisë në Prishtinë, Eugen Wollfarth.

Kryeparlamentari Berisha, duke i përshëndetur parlamentarët gjermanë ka falënderuar për mbështetjen e madhe të Gjermanisë për popullin e Kosovës, tash e në të kaluarën, si dhe e ka vlerësuar mbështetjen e Bundestagut për Kuvendin e Kosovës dhe sidomos angazhimin paqeruajtës të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

Duke folur, ndërkaq, për gjendjen në Kosovë, Berisha ka theksuar se vonimi i miratimit të Rezolutës në KS të OKB-së, në miratim të Planit të Ahtisarit, ka shkaktuar zhgënjim tek qytetarët. Vonimi i statusit po reflektohet negativisht në të gjitha aspektet: në atë politik, në atë ekonomik dhe në çështje të sigurisë, ka thënë Berisha.

Në interesimet e mysafirëve për gjasat e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë dhe a do të implimentohet Plani i Ahtisarit, nëse nuk kalon Rezoluta në KS të OKB-së, Berisha është përgjigjur se as që dëshiron të mendojë se Rezoluta nuk do të miratohet. Ai, ndërkaq ka theksuar se Kuvendi e ka miratuar Planin e Ahtisarit dhe se bisedimet për statusin janë shterë. “Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje të pas statusit”- është shprehur i prerë Berisha.

Deputetët gjermanë Weigel, Schäfer dhe Nachtwei kanë pohuar se shtetet e Unionit Evropian e kuptojnë seriozitetin e gjendjes dhe vlerësojnë se statusi i Kosovës duhet të përcaktohet sa më parë. Ata kanë premtuar se Gjermania do ta mbështesë Kosovën edhe pas përcaktimit të statusit, sidomos në planin e funksionimit të shtetit ligjor.

Edhe anëtarët e Kryesisë: Haliti, Maloku dhe Hoti, kanë theksuar unitetin e qytetarëve, të subjekteve politike dhe të institucioneve të Kosovës për pavarësinë e vendit. Ata kanë shtruar nevojën urgjente për miratimin e Rezolutës për Kosovën dhe kanë kërkuar mbështetje në krijimin e mekanizmave të sigurisë në Kosovë dhe marrjen e kompetencave në këtë lëmë.

Në takim është kërkuar gjithashtu që të trimërohen investitorët gjermanë dhe të vendeve të UE-së që të investojnë në Kosovë, duke garantuar se Kosova do të jetë vend shumë i sigurt për investime dhe krijimin e profitit për kompanitë investuese.

Parlamentarët gjermanë kanë premtuar mbështetje të mëtejme të Bundestagut për Kuvendin e Kosovës dhe kanë shprehur dëshirën që kolegët e tyre kosovarë ta vizitojnë Bundestagun dhe të marrin pjesë në seancat parlamentare kur flitet për çështjen e Kosovës.
Udhëheqja e Kuvendit priti një delegacion të Bundestagut gjerman