Lajmet e fundit

Prezantohen në Kuvend Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit

, 27.06.2007




Dy raporte për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM), janë prezantuar sot në Kuvendin e Kosovës në një takim në të cilin merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha organizatave të OKB-së në Kosovë, kryeparlamentari Berisha dhe deputetë nga radhët e komisioneve parlamentare.

Duke e përshëndetur punën e madhe dhe shumë të rëndësishme që ka për Kosovën raporti për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha ka theksuar se takimi i sotëm ka rëndësi të dyfishtë: Nën një është pesha dhe aktualiteti i temave që janë shënjestruar për trajtim dhe dimensioni tjetër është kjo forme e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe UNDP-së, si dhe Agjencive të tjera të OKB-së që veprojnë në Kosovë.

Rëndësia e këtyre objektivave e merr peshën e duhur vetëm nëse arrihet zbatimi i tyre në praktike, ka thënë Berisha, duke shprehur kënaqësi që Kuvendi i Kosovës merr pjesë në këtë proces të përpjekjeve globale por edhe për faktin se janë në spikamë tema shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Duke folur për çështjen e të rinjve në Kosovë Berisha është shprehur se rinia është sfida dhe proekupimi ynë i madh se si ta edukojmë, si ta punësojmë dhe t’i ofrojmë një vizion e shans për t’u dëshmuar. “Jorastësisht këtë teme e kemi organizuar një ditë para seancës plenare të Kuvendit ku një nga pikat e rendit të ditës do t’i kushtohet pikërisht debatit për rininë”, ka thënë kreu i Kuvendit të Kosovës në takim të prezantimit të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Nga raportet e paralajmërimeve të hershme rezulton se derisa në disa sektorë të jetës në Kosovë ka përmirësime, si në arsim, në disa të tjerë janë shënuar ngecje dhe rënie, ka thënë shefi i UNHCR-it në Kosovë, Martin Loftus, i cili e ka hapur dhe e ka drejtuar takimin.

Raportin e parë për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të përgatitur nga UNDP-ja, e ka prezantuar z. Frode Mauring, koordiantor për zhvillim i OKB-së në Kosovë, kurse raportin e Riinvestit për OZHM-në deri më 20015, e ka prezantuar Venera Demukaj.

Megjithëse ndër objektivat e para të OZHM-së theksohet shrrënjosja e varfërisë ekstreme dhe reduktimi i varfërisë relative, nga raporti doli se për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik dhe papunësia e lartë në Kosovë, sa vjen e shtohet numri i popullatës në kufij të varfërisë. Është theksuar se janë bërë përparime në planin e barazisë gjinore, por se ende numri i vajzave në shkolla të mesme është më i vogël se i djemve. Është thënë gjithashtu se ka rënë dukshëm vdekja e foshnjave, megjithëse ende është ndër më të lartit në Evropë. Dhe ndërkohë që ka përparime në mbrojtjen shëndetësore të popullsisë nga sëmundje të ndryshme infektive, Kosova mbetet me përqindjen më të lartë të tuberkulozit në kontinent.

Në këto raporte është theksuar edhe rëndësia e krijimit të mjedisit të qëndrueshëm dhe e parteneritetit global për zhvillimin e vendit.

Ndër kushtet kryesore të përmbushjes së objektivave të OZHM-së është theksuar krijimi i institucioneve qeveritare të suksesshme dhe bashkëpunimi i Kosovës me donatorë të ndryshëm, krijimi i ambientit të sigurt për investime të jashtme si dhe aktivizimi i kapitalit të diasporës në ekonominë të Kosovës.

Një vëmendje e veçantë në takim i është kushtuar, ndërkaq, prezantimit të Planit Kosovar të Veprimit për Rini 2007-201, të përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtori i Departamentit të Rinisë, Sali Morina, ka theksuar se rinia duhet të përkrahet në punësim, të mbështeten vlerat, krijimtaria dhe aktivitete kulturore, duke ndarë mjete buxhetore për dy politikat afatmesme në fushën e rinisë: Planin Kosovar të Veprimit për Rini 2007-2010 dhe Planin e Punësimit për Rini 2007-2010.

Në hulumtimin e UNDP-së thuhet se rinia kosovare është pak e përshirë në proceset vendimmarrëse, kurse numër i tyre që janë të lënë pa u përfshirë në shkollim është i madh. Sipas hulumtimeve të bëra del se besueshmëria në Universitetin Publik të Prishtinë ka rënë, meqë pak nga rinjtë besojnë se mund të regjistrohen në të. Po ashtu me këtë rast u theksuan edhe traumat e luftës që në shumë raste kanë shkaktuar rënien e vetbesimit tek të rinjtë tanë.

Në fund përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring, pasi falënderoi pjesëmarrësit për pjesëmarrje dhe angazhim potencoi: “Ne nuk kemi ardhur këtu për ta administruar Kosovën, por për ta mbështetur atë”, duke shtuar se UNDP-në dhe agjencitë e tjera të OKB-së nuk duhet parë si kundërshtarë, por si partnerë. Më pas ai luti që këto objektiva të futën si prioritete të Qeverisë, që deri në vitet e ardhshme Kosova të këtë një jetë më normale, e mos të ballafaqohet më me varfëri.. Mauring theksoi se perspektiva e Kosovës është rinia e saj.
Prezantohen në Kuvend Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit