Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Ryker

, 28.06.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha ka zhvilluar sot një takim me shefin e UNMIK-ut , Joakim Ryker. Ishte ky një takim në kuadër të takimeve të rregullta që mbahen në mes të PSSP-së dhe Kryetarit të Parlamentit të Kosovës.

Tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe UNMIK-ut në këtë fazë të zhvillimit të proceseve, e sidomos bashkëpunimi në çështje të legjislacionit. Po kështu u diskutuan edhe rrjedhat aktuale të procesit për definimin e statusit të Kosovës. Në këtë kontekst u konkludua bashkërisht se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe kjo do të jetë rezultati përfundimtar i procesit në të cilin ndodhemi. U theksua se është shumë e rëndësishme që të ruhet besimi në epilogun pozitiv të procesit dhe uniteti shembullor i manifestuar në Grupin e Unitetit. Çështja e statusit të Kosovës, përkatësisht pajtimi për pavarësinë e Kosovës sipas Planit të z. Ahtisari ka arritur pajtueshmërinë maksimale në skenën ndërkombëtare. Aktualisht, në nivelet më të larta të diplomacisë botërore po bëhen përpjekje intensive për ta bindur edhe Rusinë që të pajtohet, respektivisht të mos kundërshtojë duke përdorur veto në këtë proces. Kryeparlamentari Berisha dhe z. Ryker konstatuan se në këto qaste vendimtare kërkohet durim, kërkohet qetësi dhe stabilitet, faktorë këta që fuqishëm kondicionojnë përfundimin e procesit të statusit.

Në këtë takim u diskutua edhe çështja e zgjedhjeve lokale edhe atyre të përgjithshme, në kontekstin e specifikave aktuale që lidhen me statusin. U theksua se në këtë fazë është me rëndësi të zhvillohen konsultime e bisedime me të gjitha subjektet politike të Kosovës, nga të cilat do të nxirret konkluzioni më i mirë i mundshëm dhe do të merret vendim i duhur.
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Ryker