Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 28.06.2007




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ministrat e resoreve u janë përgjigjen pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj është zhvilluar debat i gjerë për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave në Kosovë, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të LDK-së.

Pasi kryetari i grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, ka arsyetuar kërkesën për debat në këtë temë, ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, ka prezantuar përgatitjet e Ministrisë, të cilën e drejton dhe të Entit të Statistikës për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave në Kosovë, që duhet të realizohet nga nëntori i këtij viti.

Shumica e deputetëve që kanë debatuar në këtë temë regjistrimin e popullsisë e kanë vlerësuar veprim të domosdoshëm, jo vetëm për fakti që regjistrim valid nuk ka pasur në 26 vjetët e shkuar, por edhe për atë se çështje të ndryshme të zhvillimit në Kosovës presupozojnë shifra të sakta të popullsisë, strukturën e saj dhe të ekonomive familjare. Deputetët kryesisht e kanë vlerësuar shumë profesional materialin bazë për debat në këtë temë. Ata kanë theksuar nevojën që regjistrimi të jetë i standardeve të larta, kurse shumë deputetë kanë vënë në pah domosdoshmërinë që të gjenden forma dhe mundësi për regjistrimin edhe të qytetarëve të shumtë të Kosovës, të cilët punojnë dhe jetojnë përkohësisht jashtë Atdheut.

Në orët e pasditës në Kuvend është zhvilluar debat për Rininë në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së, të cilën e ka arsyetuar kryetari i këtij grupi, Jakup Krasniqi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, ka folur para deputetëve për angazhimet e ministrisë, të cilën e drejton për çështjen e rinisë. Ai në këtë kuadër është përqendruar në Planin Kosovar të Veprimit për Rini 2007-2010 dhe Planin e Punësimit për Rini 2007-2010, të cilat i ka përgatitur Ministria e Kulturës.

Në diskutimet e deputetëve ka dominuar mendimi se është bërë pak për rininë tonë, si në planin e shkollimit dhe të ngritjes profesionale, të aktiviteteve kulturore dhe sidomos të punësimit. Është kërkuar, prandaj, që çështja e rinisë të jetë prioritet i përhershëm i Qeverisë së Kosovës.

Seanca i vazhdon punimet nesër (e premte), në orën 10:00.

Nga punimet e seancës plenare