Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare

, 29.06.2007




Në ditën e dytë të seancës së Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, deputetët kanë debatuar për zbatim të Rekomandimeve të Kuvendit dt. 7 korrik 2005 për çështjen e pensionistëve në Kosovë. Kërkesën për këtë debat e ka arsyetuar kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha, kurse më pastaj ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj, ka paraqitur një ekspoze për hapat e ndërmarrë të Ministrisë për përmirësimin e pozitës materiale të pensionistëve. Ndër shkaqet e pozitës jo të kënaqshme të pensionistëve, Selmanaj ka theksuar fuqinë e vogël të ekonomisë së Kosovës, grabitjen e Fondit pensional nga regjimi serb (në vitet 90-ta) dhe rekomandimet e Fondtit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që të mos bëhen shpenzime, të cilat e rrezikojnë substancën monetare në Kosovë.

Ka pasuar një debat i gjerë i deputetëve në këtë temë. Që të gjithë folësit janë pajtuar se gjendja e pensionistëve është tepër e vështirë dhe se 40 eurot që marrin ata është thjeshtë ndihmë sociale dhe jo pensioni, të cilin e kanë merituar.

Në seancë është kërkuar që çështja e pensionistëve të jetë prioritet i përhershëm i Qeverisë së Kosovës dhe është insistuar që të procedohet me Projektligjin për sigurim pensional dhe invalidor, si dhe të heqen bllokadat për miratimin e Ligjit të punës.

Po në këtë seancë është shqyrtuar për herë të dytë dhe është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për planifikimit hapësinor.

Në përfundim të seancës së sotme deputetët kanë miratuar Rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri Energjetikë dhe telekomunikacion lidhur me dhënien e licencës për hulumtime minerare kompanisë “Kosovo Resorce Company L.L.C.”, sipas vendimit nga seanca plenare e 21 qershorit.
Nga vazhdimi i seancës plenare