Lajmet e fundit

Rekomandimet e Kuvendit për licencën dhen kompanisë “Kosovo Resorce Company L.L.C.”

, 29.06.2007




                      REKOMANDIM

Bazuar në rregullën 49 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, përfundimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, më 21.06.2007, si dhe të përfundimit të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, Komisioni funksional për Ekonomi, Tregti, Indistri, Energjetikë, Transport dhe Telekomuniklacion, me dt. 26.06.2007 shqyrtoi përsëri kërkesën e Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave dhe të NSH. “Trepça” lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së dhënies së licencës Kompanisë “Kosovo Resours LLC” nga ana e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Në bazë të deklaratave dhe të fakteve të parashtruara nga palët (KPMM-ja, NSH ”Trepça” dhe të MEM-i), si dhe interpelancës së ministrit të MEM-it, më 21.06.2007 në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për ETIETT i propozon Kuvendit të Kosovës që të miratojë rekomandimet:

1. Auditori i Përgjithshëm të vlerësojë ligjshmërinë dhe konfliktin e interesit, me rastin e dhënies së licencës për hulumtim-eksplorim në lokacionin e Drazhnjes, Kompanisë ,,Kosovo Resources LLC” nga KPMM-ja.
-Nëse vërtetohet se ka pasur shkelje të legjislacionit në fuqi apo konflikt interesi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, t’ia procedojë PSSP-së lëndën për anulim.
-Obligohet Auditori i Përgjithshëm që vlerësimin ta bëjë në afat prej 15 ditëve, nga dita e pranimit të rekomandimit.
-Nëse Auditori i Përgjithshëm, brenda afatit të caktuar, nuk përfundon me vlerësim, Kryesia e Kuvendit obligohet që kërkesën për anulimin e licencës t’ia dërgojë PSSP-së .

2. PSSP-ja të shpallë Ligjin për miniera dhe minerale, i miratuar me 19.01.2006 dhe Ligjin për hulumtime gjeologjike, i miratuar më 10.10.2006 në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën të arsyetojë mos shpalljen e tyre.

3. Kuvendi i Kosovës, me akt juridik t’i shpallë resurset natyrore të Kosovës: Pasuri nacionale dhe menaxhimi i tyre të mbikëqyret nga Kuvendi.

4. KPMM-ja të hartojë Planin për menaxhimin e resurseve minerale në Kosovë dhe para se t’ia procedojë për miratim Ministrisë për Energjetikë dhe Miniera, sipas nenit 61 të Rregullores 2005/3, i njëjti të debatohet në Kuvendin e Kosovës.

5. Qeveria e Kosovës të hartojë politikë të qartë konsensuale, Qeveri–Kuvend, për të ardhmen e minierave në Kosovë, e në veçanti të minierave të Trepçës.

6. Të intensifikohet bashkëpunimi ndërinstitucional, i KPMM-së me Ministrinë për Energjetikë dhe Miniera, kurse Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Komisionit funksional, të mbikëqyrë zbatimin e politikave dhe të Planit për menaxhimin dhe shfrytëzimin e mineraleve në Kosovë.

Kryetari i Komisionit
Ibush Jonuzi