Lajmet e fundit

Nga vizita e Komisionit Parlamentar për Bujqësi KEK-ut dhe Kuvendit Komunal të Kastrioti

, 05.07.2007




Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis, i drejtuar nga Rifat Krasniq, kryetar i komisionit, ka vizituar të enjten KEK-un, Deponinë e hirit, Minierën e Mirashit dhe të bardhit, termocentralin Kosova A dhe Kuvendin Komunal të Kastriotit, me qëllim të njoftimit për përmasat e ndotjes së ambientit nga eksploatimi dhe djegia e thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike.

Drejtoresha (në largim), Pranvera Dobruna, duke theksuar obligimet e mëdha të KEK-ut ndaj qytetarëve të Kosovës, sa i përket prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, ka spikatur kujdesin që i kushtohet mbrojtjes së mjedisit nga ndotjet që i bëhen ujit, ajrit dhe tokës. Ajo, ndërkaq, ka theksuar edhe nevojën për miratimin e ligjeve të mira që sanksionojnë mbrojtjen e ambientit nga ndotja. Dobruna në vazhdim ka folur për punën që bën KEK-u, për sa i përket rehabilitimit të tokës së degraduar nga mihjet sipërfaqësore. Rigjenerimi gradual i tokave, për tu shndërruar në tokë pjellore, kërkon investime të mëdha, ka thënë drejtoresha, e cila ka shfaqur shpresën se këto projekte nuk do të ngecin falë mbështetjes së Bankës Botërore, e cila ka premtuar sigurimin e një sistemi të monitorimit të ndotjes së mjedisit në bazë të direktivave evropiane, duke vënë afatin deri në vitin 2017, kohë deri kur Kosova duhet të mbyll të gjitha kapacitetet prodhuese, të cilat e ndotin mjedisin tej mase.

Kryetari i komisionit, Rifat Krasniç, por edhe anëtarët e tjerë të komisionit kanë ngritur shqetësime për përmasat e ndotjes së mjedisit nga KEK-u, që rrezikon shëndetin e popullsisë, madje edhe të gjeneratave të ardhshme, për menaxhimin e ndërmarrjes dhe për pasojat e ngritjes së kapaciteteve të reja prodhuese.

Specialistët e KEK-ut për ruajtjen e mjedisit, ndërkaq, kanë theksuar cilësinë jo të mirë të ligjeve që kanë të bëjnë me mjedisin, të hartuara nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor dhe të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Anëtarët e komisionit kanë vizituar edhe Deponinë e hirit në Kastriot, sipërfaqja e së cilës ka filluar mbulohej me bari, falë ujitjes dhe hedhjes së farës, megjithëse zgjidhja afatgjate është procesi hidraulik, për çka duhen mjete të konsiderueshme nga Banka Botërore, kanë pohuar ekspertët e KEK-ut.

Gjatë vizitës në Minierën e Mirashit dhe Bardhit, nga furnizohet Kosova A dhe Kosova B, anëtarët e komisionit janë njoftuar se thëngjill do të ketë edhe për tri vjet të ardhshëm, pas së cilës mendohet të fillohet me shfrytëzimin e minierës së Sibovcit, ku vlerësohet të ketë 880 milion tonelata thëngjill. Drejtori i minierës ka sqaruar se ndotjes së mjedisit i kontribuon edhe ndezja e sulfurit (nëpërmjet oksidimit të ajrit), e cila ndodhë ta rrezikojë dhe ta ndezë edhe thëngjillin.

Gjatë vizitës në Kosovën A është konstatuar teknologjia e vjetruar e prodhimit të energjisë elektrike dhe kushtet e vështira për punë për shkak të pluhurit.

Pas vizitës në KEK, komisioni vizitoi Kuvendin Komunal në Kastriot ku prit nga kryetari Ismet Hashani. Duke i falënderuar për vizitën Hashani u shpreh: “Kastrioti është duke përjetuar zhgënjimin më të madh të pasluftës”. Ai ka theksuar faktin se në këtë komunë problemet vetëm sa vijë e grumbullohen dhe askush nuk interesohet për problemet mjedisore të ndotjes enorme. Ai potencoi faktin se Kastrioti jeton nën largpërçuesit e energjisë, kurse rrymë nuk ka. Kryetari i komunës ka përmendur edhe rasti i fshatit Hade, me qytetarët e të cilit, siç është shprehur ai, çdo javë po mbahen vetëm “takime vajtuese” pa ndonjë rezultat. Në vazhdim ai ka spikatur sidomos problemet shëndetësore të popullsisë, për shkak të ndotjes së mjedisit, si dhe është ankuar se KEK-u. nuk paguan asnjë metelik për shfrytëzim e thëngjillit nën tokën e Komunës së Kastriotit.

Kryetari Rifat Krasniç dhe anëtarët e komisionit Berat Luzha, Shaban Halimi, Sadudin Berisha, Fetah Berisha shprehën keqardhje për këto të dhëna dëshpëruese që kanë dëgjuar në Kuvendin Komunal të Kastriotit dhe kanë parë në kapacitetet prodhuese të KEK-ut dhe janë zotuar se gjatë vizitës që do t’i bëjnë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, këto shqetësime do t’ia prezantojnë ministrit Ardian Gjini.