Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

, 06.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentar për të vlerësuar efikasitetin e punës së komisioneve parlamentare gjatë amendamentimit të projektligjeve dhe për të nxitur komisionet që të shkurtojnë afatin kohor të procedimit të projektligjeve nga shqyrtimi i parë deri tek shqyrtimi i dytë dhe miratimi i tyre.

Kryeparlamentari Berisha ka kërkuar nga kryetarët e komisioneve që t’i shqyrtojnë në afat sa më të shkurtër kohor projektligjet, të cilat e kanë kaluar shqyrtimin e parë (miratimin në parim ) nga seanca plenare. Duhet të përshpejtohet ritmi i punës së komisioneve, ka thënë Berisha, sepse ditëve të ardhshme pritet një fluks më i madh i projektligjeve nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse.

Pa i marrë parasysh arsyet, ndonjëherë objektive, të vonimit të amendamentimit të tyre, është e pakuptimtë që pesëmbëdhjetë projektligje të mos kenë kaluar shqyrtimin e dytë edhe pas dy muaj ditësh nga shqyrtimi i parë i tyre, ka thënë kreu i legjislativit të vendit. Si më drastik, ndërkaq është përmendur Projektligji për ushqimin, i cili nuk e ka kaluar procedurën e miratimit tash e dy vjet.

Kreu i Kuvendit ka kërkuar që anëtarët e komisioneve të jenë më të rregullt në mbledhjet e komisioneve dhe më efikas në punën e tyre.

Kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare, kanë vlerësuar se nuk është e nevojshme të organizohen dëgjime publike për të gjitha projektligjet, por vetëm për ato bazike. Ata, ndërkaq, kanë vlerësuar se nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut duhet kërkuar arsyet e vonimit të shpalljes së një varg ligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Në takim është kërkuar gjithashtu që çështja e efikasitetit të komisioneve parlamentare gjatë amendamentimit të projektligjeve të shqyrtohet edhe në njërën nga seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.