Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti nënsekretarin e OKB-s Add Melkert

, 09.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot nënsekretarin e OKB-së dhe bashkëpunëtor i Administratorit të UNDP-së, Add Melkert, me të cilin ka biseduar për momentin politik nëpër të cilin po kalon Kosova, në konteksin e zvarritjes së statusit, si dhe për projektet mbështetëse të UNDP-së për Kosovën.

Kryeparlamentari Berisha mirëpriti ardhjen e zyrtarit të lartë të OKB-së, z. Melkert, në një moment si ky për të parë nga afër arritjet dhe rezultatet e angazhimeve të gjithanshme në Kosovë dhe për të ndier nga afër shqetësimet e qytetarëve për vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Gjithçka që kemi bërë në Kosovë, e kemi bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka thënë Berisha në takim me zëvendëssekretarin e OKB-së, Melkert, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha ato standarde dhe kërkesa që janë kërkuar dhe ka qenë e mundur të plotësohen.

Duke iu qasur pozitës së minoriteteve në Kosovës, Berisha e ka garantuar mysafirin e lartë nga OKB-ja se të drejtat e minoriteteve do të jenë më të avancuara se kudo në botë. Mospërcaktimi i statusit dhe zvarritja e palimituar e tij ka bllokuar të gjitha proceset ekonomike, politike dhe sociale , ka theksuar Berisha. Vonesat dhe paqartësitë sjellin situata të paparashikueshme, të cilat rrezikojnë të zhvleftësojnë çdo angazhim tonin dhe tuajin, ka tërhequr vëmendjen kreu u legjislativit të vendit.

Duke e falënderuar kryeparlamentarin për shpjegim të qartë të gjendjes në Kosovë, nënsekretari i OKB-së ka vlerësuar angazhimin e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të Kosovës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë vështrim ai ka theksuar qëndrimin e qartë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe është shprehur se zgjidhja nuk duhet të vonohet.

Në këtë takim, në të cilin merrte pjesë edhe Frode Mauring, koordinator për zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, nënsekretari i OKB-së, Melkert, ka spikatur angazhimet dhe orientimet e mëtejme të UNDP-së për të mbështetur Kosovën, duke theksuar se tashmë janë hartuar agjendat e bashkëpunimit në të ardhmen, pas përfundimit të mandatit të UNMIK-ut. Në këtë vështrim ai ka vlerësuar rolin e Kuvendit për punë të përbashkët me këtë organizatë të OKB-së dhe realizimin e Objektivave të mijëvjeçarit në Kosovë, në kuadër të të cilit pikasur përfshirjen e fëmijëve në arsimim dhe zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave.

OKB-ja është e gatshme që t’i mbështes më tej institucionet e Kosovës dhe është e kënaqur që Parlamenti dhe Qeveria janë angazhuar drejtpërdrejt në realizimin e Objektivave të mijëvjeçarit, ka thënë nënsekretari i OKB-së, Melkert.

Kryeparlamentari Berisha priti nënsekretarin e OKB-s Add Melkert