Lajmet e fundit

Nga vizita e Komisionit Parlamentar për Bujqësi në Ministrinë e Mjedisit

, 10.07.2007




Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i udhëhequr nga Rifat Krasniq, kryetar i komisionit, ka vizituar Ministrinë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, për tu njoftuar me aktivitetet e ministrisë në funksion të mbrojtjes së mjedisit nga ndotjet. Ministri Ardian Gjini e ka njoftuar komisionin për çështjet aktuale, të cilat e preokupojnë ministrinë që e udhëheq, sidomos për sa i përket Projektligjit për parqet nacionale. Ai potencoi faktin se qeveria është e interesuar që ky projektligj sa më shpejt të miratohet në Kuvend për shkak të interesit të madh që ka Kosova, duke thekuar se sipërfaqja e kontestuar e këtij parku, megjithatë është sipërfaqe e pabanuar, ndaj nuk ka kurrfarë pengese që të shpallet si park turistik. Menaxhimi, vazhdoi ai, nuk paraqet vështirësi, siç pretendon Ministria e Bujqësisë, sepse prona private aspak nuk tjetërsohet me shpalljen e këtij ligji, përkundrazi, ajo do të mbrohet më mirë me këtë ligj, sepse zonat e shpallura për turizëm do të ndahen në kategori 1, 2 dhe 3. Çështjet tjera në ministri ai i cilësoi si çështje buxhetore, sidomos Master Planin e Kosovës për ujërat e zeza, për të cilën duhen mjete shtesë, etj.

Rifat Krasniç përshëndeti dhe falënderoi për mikpritje duke kërkuar shtjellimin e agjendës së paraparë me ndihmën e bashkëpunëtorëve prezent të ministrisë dhe anëtarëve të komisionit. Ai njoftoi shkurtimisht edhe për dy vizita të komisionit në KEK dhe Trepçë nga të cilat komisioni ka marrë shkas që të kërkojë nga kjo ministri qasje esenciale për përmirësimin e gjendjes mjedisore në komunat ku janë fabrikat që ndotin mjedisin.

Vlerësime të ngjashme për ndotjen enorme të ambientit në disa mjedise të Kosovës kanë shprehur edhe deputetët: Sadudin Berisha, Berat Luzha, Gazmend Muhaxheri, Selvije Halimi, Jusuf Suta, Xhelal Canziba dhe Fatah Berisha.

Ministri Gjini theksoi se shumë përgjigje në këto pyetje varen nga donatorët sepse Mitrovica, Obiliqi, deponitë e hapura etj janë probleme të trashëguara që ekzistojnë së paku 40 vjet. Stafi i ministrisë e ka njoftuar komisionin edhe me dinamikën e procesit legjislativ e MMPH për vitin 2007.