Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 12.07.2007
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ministrat e resoreve u janë përgjigjen pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.
Më pastaj është proceduar me shqyrtimin e parë të projektligjeve: Projektligjit për shitjen e banesave në të cilat ekziston e drejta banesore, të atij për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për organizmat e modifikuara gjenetikisht dhe të atij për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rrugët nr. 2003/11.
Për shkak të fushës së ndjeshme që rregullon, Projektligji për shitjen e banesave në të cilat ekziston e drejta banesore, ka nxitur deputetët për më shumë debat se bëhet zakonisht për projektligjet në shqyrtim të parë. Deputetët kanë tërhequr vëmendjen sidomos për rregullimin me ligj të padrejtësive që u janë bërë qytetarëve të Kosovës nga regjimi serb pas vitit 1990, kur shumë prej tyre u janë marrë banesat padrejtësisht.
Seanca plenare shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe me shumicë votash e ka miratuar listën e anëtarëve të këtij këshilli.
Deputetët po në këtë seancë kanë shqyrtuar propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës. Është vendosur që deri në seancën e ardhshme grupet parlamentare dhe deputetët t’i dorëzojnë propozimet e tyre në formë amendamentesh për ndryshimin e Rregullores, të cilat duhet të votohen nga seanca e ardhshme plenare.