Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti drejtuesit e AQBK-së

, 13.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot një delegacion të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës. Gjatë këtij takimi drejtori i AQBK-së, Michael Svetchine , kryetari i Bordit të AQBK-së, Ajri Begu, dhe zëvendësdrejtorët, Hashim Rexhepi e Gani Gërguri, e kanë njoftuar kryetarin e Kuvendit lidhur me ecurinë e punës, rezultatet dhe synimet e mëtejme të këtij institucioni të rëndësishëm për Kosovën.

Në takim janë diskutuar edhe aspekte të ndryshme të punës, siç është roli i AQBK-së në këto rrethana, pastaj bashkëpunimi me institucionet, infrastruktura ligjore që e mbulon këtë lëmi, sistemi bankar, bilanci i pagesave, normat e larta të interesave, sektori i sigurimeve dhe i pensioneve etj.

Drejtuesit e AQBK-së kanë vënë në spikamë se në këtë sektor janë shënuar trende të vazhdueshme të zhvillimit, por që ende janë të pamjaftueshme krahasuar me kërkesat dhe nevojat e mëdha të ekonomisë dhe të qytetarëve të Kosovës.

Çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës, është theksuar në takim, në shumë aspekte reflektohet në mënyrë restriktive edhe në këtë sektor, ndonëse disa çështje vitale do të vazhdojnë të paraqiten sfiduese edhe pas zgjidhjes së statusit.

Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, ka shprehur fjalë të mira për rezultatet e deritashme në AQBK, duke tërhequr vëmendjen se çështjet e zhvillimit ekonomik, papunësia, gama e ulët e prodhimeve vendore dhe problemet sociale e pensionale janë ende me përmasa të tilla që kërkojnë angazhime dhe prioritet të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet e Kosovës, e në këtë kuadër një rol të veçantë e ka gjithsesi edhe AQBK-ja.

Duke theksuar rolin e veçantë që ka sektori financiar, kryetari i Kuvendit nënvizoi se Kosovës i nevojitet një sistem financiar stabil, i cili do të mbështeste investitorët vendës dhe do të joshte investitorët e huaj.

Kryeparlamentari Berisha e ka vlerësuar mjaft me rëndësi praktikën e re të raportimit të rregullt për punën që bëhet në këtë institucion.

Me këtë rast kryetarit të Kuvendit iu dorëzua raporti vjetor i punës, raport ky i cili do të jetë tash e tutje formë e rregullt e komunikimit dhe e raportimit të punës së Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës para Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Berisha priti drejtuesit e AQBK-së