Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit Kole Berisha priti delegacionin e Lugines se Presheves

, 17.07.2007




Delegacioni i Lugines së Preshevës, i përbërë nga drejtues dhe përfaqësues te instsitucioneve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është pritur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

Kryetari i Kuvendit i ka njoftuar ata me zhvillimet aktuale në Kosovë, punën që bëhet në Kuvendin e Kosovës dhe procesin lidhur me statusin e Kosovës.

Përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, zotërinjtë Riza Halimi, Januz Musliu, Skënder Destani dhe Ismet Zeqiri vlerësuan lartë unitetin e manifestuar tek subjektet politike të Kosovës dhe në kuadër të Grupit të Unitetit si dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare.

Delegacioni i tri komunave të Luginës ritheksoi qëndrimin për pavarësinë e Kosovës si e vetmja zgjidhje e duhur. Në këtë kuadër ata përsëritën mbështetjen për Planin e z. Ahtisari si opcion më i mirë që i kënaq të gjitha palët. Oferta kosovare për komunitetet minoritare në Kosovë, theksuan përfaqësuesit e Luginës, është zgjidhje e cila do të duhet të zbatohej edhe nga vende tjera, si dhe nga vetë Serbia, e cila ende nuk po u hap rrugë proceseve demokratike dhe sidomos trajtimit të minoriteteve në përputhje me normat dhe konventat ndërkombëtare. Realiteti në terren është në shpëputhje me deklaratat verbale të autoriteteve të Serbisë. Kjo mund të vërehet kudo por veçanërisht në komunën e Medvegjës ku nga 2000 të punësuar në sektorin publik vetëm 60 janë shqiptarë.

Shumë prej banorëve të shpërngulur më herët nga kjo komunë kanë treguar vullnet e gatishmëri për kthim në shtëpitë e tyre, por kjo bëhet e pamundur, për shkak të pengesave të natyrës ekonomike, mosndërtimit të shtëpive të tyre ose për shkak të pranisë së shtuar të forcave militare në këto zona.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit mbështeten edhe një herë procesin politik që po zhvillohet për definimin e statusit të Kosovës si dhe unitetin dhe pjekurinë që po dëshmohet në vazhdimësi si nevojë dhe domosdoshmëri për një partneritet të dobishëm me faktorin ndërkombëtar. U shpreh edhe optimizmi se tashmë është kohë e integrimeve dhe kohë kur ndarjet, copëtimet dhe izolimet janë fenomene të së kaluarës.

Rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik, për zhvillim demokratik dhe integrime drejt BE-së. Këtij opcioni duhet ti kontribuojnë të gjithë sepse është edhe interes dhe perspektivë e përbashkët është thënë në takim.
Kryetari i Kuvendit Kole Berisha priti delegacionin e Lugines se Presheves