Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti Shefin e OSBE-se, Vnendt

, 20.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha priti sot shefin e OSBE-së, Ambasadorin Verner Vnendt. Temat kryesore të bisedës ishin zhvillimet aktuale lidhur me procesin e statusit të Kosovës, çështja e zgjedhjeve, roli dhe rëndësia e institucioneve të pavarura si dhe bashkëpunimi i Kuvendit të Kosovës me OSBE-në.

Kryeparlamentari Berisha përsëriti shqetësimin lidhur me vonesat dhe shtyrjet që po i bëhen statusit të Kosovës, por shprehu bindjen se procesi i pavarësisë do të realizohet. Ai, ndërkaq, vlerësoi shumë të rëndësishme ruajtjen e besimit dhe bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare. Ambasadori Vnendt theksoi se vonesat nuk duhet të shërbejnë si shkas e justifikim për fajësimin e liderëve të Kosovës, e as të institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Përkundrazi, kjo duhet të shërbej si motiv për më shumë afri e bashkëpunim për të vazhduar me durim rrugën e filluar, ka thënë shefi i OSBE-së në Kosovë.

Ambasadaori Vnendt theksoi se zgjedhjet janë çështje e vendimit të institucioneve dhe subjekteve politike vendore dhe kurdo që të mbahen ato, OSBE-ja është e gatshme të angazhohet dhe të japë kontributin e nevojshëm për organizimin sa më të mirë të tyre, sipas standardeve moderne për zgjedhjet. Mesazhi i tyre duhet të jetë se Kosova është demokraci që funksionon, theksoi z.Vnendt, duke ofruar mbështetjen e plotë të OSBE-së .

Bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe OSBE-së ishte tema qendrore e bisedës. Ishte vlerësim i përbashkët se si fryt i këtij bashkëpunimi janë realizuar me sukses disa projekte të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës dhe për zhvillimin demokratik të vendit. Ndërmjet Kuvendit dhe OSBE-së është krijuar praktikë e shkëlqyer e bashkëpunimit, cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen, është thënë në takim.
Kryeparlamentari Berisha priti Shefin e OSBE-se, Vnendt