Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë takuan Sekretarin gjeneral të OSBE-së, Ambasadorin Marc Perrin de Brichambaut

, 24.07.2007




Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës: Naim Maloku, Xhavit Haliti, Ramë Buja, Gazmend Muhaxheri dhe Bislim Hoti kanë pritur sot në një takim të përbashkët Sekretarin gjeneral të OSBE-së, Ambasadorin Marc Perrin de Brichambaut me bashkëpunëtorët, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me Misionit të OSBE-së në Kosovës, si dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale të Kosovës.

Naim Maloku, i cili e ka drejtuar takimin në mungesë të kryetarit të Kuvendit, Kolë Berisha, por edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë, kanë vlerësuar rolin e OSBE-së në Kosovë për demokratizimin e jetës politike, për mbështetjen e organizimit të katër palë zgjedhjeve dhe për funksionalizimin e institucioneve të pushtetit lokal dhe të atij qendror. Ata e kanë njoftuar delegacionin e OSBE-së, të cilin e shoqëronte shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovës Ambasadori Wnendt, se Kosova gjendet në një fazë të rëndësishme të definimit të statusit dhe se çështja e statusit është bërë pengesë edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në takim është theksuar gjithashtu se Kuvendi i Kosovës ka mbështetur Planin e Ahtisarit, se në Kosovë ka koncenzus të gjerë për Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të pranisë afatgjate të NATO-s, por se statusi duhet zgjidhur sipas Planit të Ahtisarit.

Sekretari gjeneral i OSBE-së, Ambasadori Marc Perrin de Brichambaut, ka vlerësuar të arriturat e mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të tjera të vendit në dy vitet e shkuara dhe është shprehur i lumtur që dëgjon fjalë të mira për angazhimin e OSBE-së për demokratizimin e jetës politike në Kosovë. Ai ka lavdëruar debatet që bëhen në Kuvendin e Kosovës dhe legjislacionin e miratuar, ndërkaq i ka inkurajuar ligjvënësit e Kosovës që të miratojnë edhe atë grup ligjesh që burojnë nga aneksi 12 i Planit të Ahtisarit.

Sekretari gjeneral i OSBE-së është shprehur se për shkak të anëtarësisë së gjerë prej 56 shtetesh, OSBE-ja nuk mban anësi për sa i përket statusit të Kosovës, por se që të gjithë pajtohen për prani të vazhdueshme të organizatës në Kosovë. Ai, ndërkaq, ka premtuar mbështetjen e OSBE-së për zgjedhjet e ardhshme, kurse Ambasadori Wnendt është shprehur optimist se deri atëherë do të miratohet edhe Ligji për zgjedhjet, duke potencuar që tashmë bashkë me Grupin për zgjedhjet janë miratuar shtatëmbëdhjetë principet për zgjedhjet e ardhshme.

Në takim, ndërkaq, ka pasur edhe zëra se zgjedhjet duhet të mbahen pas përcaktimit të statusit, konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës, ndryshe, kanë tërhequr vëmendjen ata, përgjigja e qytetarëve ftesës për zgjedhje do të jetë shumë më e zbehtë se herëve të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovë, Ismet Krasniqi, u ka shpjeguar mysafirëve për punën dhe organizimin e administratës së Kuvendit në funksion të miratimit të ligjeve, si dhe ka vlerësuar ndihmën e OSBE-së për reformimin e administratës.
Anëtarët e Kryesisë takuan Sekretarin gjeneral të OSBE-së, Ambasadorin Marc Perrin de Brichambaut