Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri te Zyrës Zvicerane në Prishtine, Roland Salvisberg

, 26.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot në një takim shefin e ri të Zyrës Zvicerane në Prishtinë, Roland Salvisberg.

Kryeparlamentari Berisha, pasi i uroi suksese në detyrën e re, shprehu falënderim e mirënjohje të thellë për angazhimet dhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Zvicra për popullin dhe institucionet e Kosovës, e veçanërisht ka falënderuar për përcaktimin e vendosur të këtij vendi mik për statusin e Kosovës.

Diplomati zviceran, i cili sapo ka nisur punën në krye të Zyrës së Zvicrës, përsëriti qëndrimin e njohur të Zvicrës për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje që është në interes të Kosovës dhe të stabilitetit rajonal. Plani i z.Ahtisari është një projekt që ka mbështetjen e plotë të vendit tim, tha shefi i Zyrës zvicerane, Salvissberg, duke shprehur bindjen se kompromiset e bëra dhe oferta për minoritet do të jenë në dobi të minoriteteve por edhe në dobi të perspektivës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit njoftoi z.Salvisberg për zhvillimet më të fundit në Kosovë, angazhimet dhe kontributin e institucioneve të Kosovës për procesin e statusit, planet për implementimin e Pakos së z.Ahtisari dhe interesimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar tutje procesin drejt pavarësimit të Kosovës në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare.

Diplomati zviceran konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar me të njëjtën përkrahje dhe mbështetje për Kosovën. Edhe pas statusit, tha ai, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje në fusha të ndryshme, veçanërisht në ato ekonomike, për të cilat nuk do të mungojë përkrahja e autoriteteve zvicerane.
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri te Zyrës Zvicerane në Prishtine, Roland Salvisberg