Lajmet e fundit

Tornbjorg Sohlstrom u prit në vizitë lamtumirëse në Kuvendin e Kosovës

, 27.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot të dërguarin e BE-së në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom, i cili përfundon mandatin e tij në Kosovë. Z. Solstrom gjatë kësaj vizite shoqërohej nga z. Jonas Jonson, i cili ka marrë mandatin e BE-së për ta zëvendësuar z. Solstrom në Kosovë.

Në këtë vizitë lamtumirëse, z.Solstrom ka përsëritur qëndrimin se po largohet nga Kosova me një dozë frustrimi por edhe besimi, njëkohësisht. E para sepse deri në këtë moment është dashur të arrihet zgjidhja e statusit të Kosovës por njëkohësisht edhe me besim se kjo çështje do të realizohet shumë shpejt. Edhe pse ende nuk e kemi realizuar atë që kishim planifikuar, tha Solstrom, procesi është duke vazhduar, procesi nuk është ndalur dhe zgjidhja do të gjendet. Ekipi i të dërguarit të BE-së në Prishtinë është i kompletuar dhe po punon me intensitetet të shtuar, tha ai, duke shprehur bindjen se pasardhësi i tij , Jonas Jonson, është person i duhur për udhëheqjen e mëtejme të ekipit dhe për bashkëpunim të ngushtë me liderët e institucionet e Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha, me këtë rast, në emër të Kuvendit të Kosovës, ka shprehur mirënjohje për z. Solstrom, i cili për këtë kohë sa ka punuar në Prishtinë, ka treguar përkushtim, punë të palodhshme dhe shkallë të lartë bashkëpunimi e partneriteti që është me rëndësi për këtë fazë por edhe për punën e mëtejme të ekipit të BE-së në Kosovë. Kryetari i Kuvendit , Kolë Berisha, është shprehur optimist se kjo praktike e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që bashkërisht të tejkalohen pengesat e këtij momenti por edhe të bëhen ballfaqimet me sfidat e ardhshme të zhvillimit dhe të integrimeve të Kosovës drejt BE-së.
Tornbjorg Sohlstrom u prit në vizitë lamtumirëse në Kuvendin e Kosovës