Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës

, 26.07.2007




Pasuritë minerale të “Trepçës”, vlerësohen në 9 miliard e 800 milion euro, dhe se eksploatimi i këtyre resurseve minerale do të sillnin të ardhura, përafërsisht, prej 500 milion eurosh. Sepse, nga parallogaritë e bëra vetëm rezerva të xeheve në gjendje ka afro 53 milion ton, dhe këto mund të eksploatohen gjatë 36 viteve të ardhshme. Këto janë vetëm disa nga konstatimet në mbledhjen e rregullt të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të kuvendit të Kosovës, të cilin e ka kryesuar z. Ibush Jonuzi, kryetar i komisionit, dhe në të cilën pika kryesore e rendit të ditës ishte; Orientimet e politikës zhvillimore në Kombinatin “Trepça”.

Në mbledhjen e përmendur, krahas anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe ministri i Ministrisë për Energjetikë dhe Miniera, z. Ethem Çeku, me bashkëpunëtorët , zëvendësministri për buxhet dhe financa, z. Behxhet Brajshori, këshilltari i kryeministrit të Qeverisë z. Viktor Ulaj, si dhe përfaqësuesit e Komisionit të pavarur për miniera dhe minerale.

Në mbledhjen e theksuar më lartë, po ashtu ndër të tjera është theksuar se deri më tani Qeveria e Kosovës, në emër të sanimit të gjendjes në “Trepçë”, ka harxhuar gjithsejtë 77 milion euro por, nga parallogaritë e ekspertëve, për rivitalizimin e kapaciteteve ekzistuese duhet që në fillim të sigurohen edhe, përafërsisht , 177 milion euro.

Në mbledhje është thënë se Kombinati “Trepça”, në emër të borxheve (të cilat në vlerën më të madhe janë krijuar në periudhën 1990-99) ndaj investitorëve të huaj debiton ndërmjet 75-220 milion euro dhe se kjo paraqet një ngarkesë shtesë për punën e rregullt dhe prodhimtari në këtë Kombinat. Për ndryshe, siç është theksuar nga Ministria për Energjetikë dhe Miniera, para pak kohësh ka përfunduar Projektligjin mbi strategjinë e minierave të Kosovës ku, hapësira më e madhe i është kushtuar mu Kombinatit “Trepça”.

Në të njëjtën mbledhje të Komisionit, duke folur lidhur me tejkalimin e kësaj situate të pavolitshme është thënë se duhet urgjentisht të punohet në drejtimin që “Trepça”, nga një ndërmarrje shoqërore të transformohet në një ndërmarrje publike dhe se pas këtij transformimi do të shihej se si, në të ardhmen, do të zgjidhej fati i këtij Kombinati. Sepse, në botë, ka mjaft të interesuar për blerjen e këtij Kombinati dhe gjithashtu, ka edhe mjaft të tillë të cilët janë të interesuar për të investuar në zhvillimin e këtij gjigandi të ekonomisë së Kosovës.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës