Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti në takim lamtumirës Gjeneralin Bernardini

, 30.07.2007




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka akorduar sot një pritje për zëvedëskomandatin e KFOR-it, gjeneralmajorin italian, Roberto Bernardini, i cili këto ditë përfundon mandatin e tij njëvjeçar në Kosovë.

Kryeparlamentari Berisha ka përsëritur falënderimet për angazhimet dhe kontributin e pjesëtarëve dhe njësive të KFOR-it për gjendjen në Kosovë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me institucionet e Kosovës . Në këtë kuadër kryetari i Kuvendit çmoi lartë punën dhe angazhimet e gjeneralit Bernardini , kontributin e tij profesional në kuadër të strukturës drejtuese të KFOR-it, por edhe shembullin e shkëlqyer të komunikimit njerëzor me qytetarët dhe institucionet duke u bërë një mik i mirë i Kosovës.

Gjeneralmajori Italian Bernardini tha se po e lë Kosovën në një gjendje të konsoliduar që është rrjedhojë e angazhimit të të gjithëve. Italia , tha ai, do të vazhdojë të përkrah Kosovën dhe procesin e filluar duke ofruar mbështetje edhe politike, ekonomike edhe ushtarake në këtë proces.

Gjenerali Italian Bernardini u shpreh me fjalë të zgjedhura mirënjohjeje për bashkëpunimin që ka gjetur tek institucionet e Kosovës e edhe me Kuvendin gjatë kësaj kohe sa ka qëndruar në kuadër të strukturës së KFOR-it në Kosovë. Një vit, tha z.Bernardini, nuk është shumë por ka mjaftuar që populli i Kosovës të më hyjë në zemër . Kam vërejtur, tha ai, se Kosova ka një popull të shkëlqyer, i cili po manifeston sensin e fitores dhe dëshirën e fortë për të ardhmen.

Besimi për të ardhmen ka bërë dhe po bën që secili kosovar të bëjë diçka, duke kontribuar secili në mënyrën e vet në këtë proces të definimit të statusit, i cili duhet të përfundojë sa më shpejt për t’i lënë vendin përpjekjeve në sferën e ekonomisë e të zhvillimit dhe integrimeve evropiane të Kosovës, ka theksuar gjeneral Bernardini.
Kryeparlamentari  Berisha priti në takim lamtumirës Gjeneralin Bernardini