Lajmet e fundit

Seanca debatoi për pasojat e zvarritjes së statusit

, 30.07.2007




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, dhe me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së deputetët kanë zhvilluar debat të gjerë parlamentar për procesin politik lidhur me vazhdimin e zgjedhjes së statusit të Kosovës dhe rreziqet për vonesat në procesin e zgjidhjes së statusit.

Në fillim të seancës kryeparlamentari Berisha ka paraqitur gjithë ecurinë e realizimit ë kësaj seance dhe takimeve të rëndësishme ndërkombëtare të anëtarëve të Grupit të Unitetit me faktorë të rëndësishëm të qendrave ndërkombëtare të vendosjes.

Më pastaj para deputetëve kanë folur të pesë anëtarët e grupit Negociaor të Kosovës: kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri, Agim Çeku, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke i njoftuar deputetët për rrjedhën e procesit për statusin e Kosovës, mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të SHBA-ve dhe të BE-së për pavarësinë e Kosovës, si dhe të bllokadave të vazhdueshme të Federatës Ruse që çështja e statusit të kalojë nëpërmjet të KS të OKB-së, ka theksuar se nga marsi i këtij viti, kur Kuvendi i Kosovës mbështeti Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, duke dhënë njëkohësisht zotimin e vet për zbatimin e tij në Kosovën e Pavarur, janë bërë zhvillime të shumta politike në skenën ndërkombëtare të cilat veçanërisht kanë qenë të fokusuara lidhur me këtë Propozim në Këshillin e Sigurimit të OKB -së. Po kështu trajtimi i tij është bërë duke siguruar mbështetje edhe në nivelet e Bashkimit Evropian dhe në institucionet e tjera evropiane.

I proceduar si i tillë në Këshillin e Sigurimit, krahas mbështetjes që ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tjerë evropian, ky dokument që nga momenti i procedimit në Këshillin e Sigurimit ka marrë edhe mbështetjen e Sekretarit te Përgjithshëm të OKB-së Z. Ban Ki Moon dhe të shumicës së vendeve anëtare të Këshillit te Sigurimit.

Për fat të keq, ka thënë Sejdiu, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme dhe jashtëzakonisht intensive të SHBA-se dhe të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit nga Bashkimi Evropian, që nëpërmjet rezolutave të bashkësponzoruara nga ato, të përmbyllin këtë proces me miratimin e një rezolute të re që do ta mbështeste këtë propozim dhe njëkohësisht do ta hiqte nga fuqia Rezolutën 1244, për shkak të bllokimit të vazhdueshëm me kërcënimin me veto nga ana e Federatës Ruse, pas pesë projektrezolutave, nuk u hodh në votim një tekst përfundimtar.

Ekipi i Unitetit duke i përcjellë me vëmendje gjithë këto zhvillime dhe duke shprehur shqetësimin e vet, të institucioneve dhe popullit të Kosovës për këto pengesa të pajustifikueshme, gjatë gjithë këtyre muajve ka zhvilluar një aktivitet të gjerë e të gjithanshëm diplomatik me qëllim të argumentimit dhe sigurimit të mbështetjes tek të gjitha vendet anëtare të KS-së për pavarësinë e Kosovës

Duke pasur parasysh angazhimin shtesë prej 120 ditëve dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës lidhur me procesin e definimit të statusit politik të Kosovës, përkatësisht pavarësimin e saj, të vitit 2005, presidenti Sejdiu ka theksuar në veçanti se:

Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme;
Integriteti territorial dhe funksional i Kosovës është i pacenueshëm
- Kosova është unike dhe e pandarë;

Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidenit Ahtisaari konsiderohet dokument i përfunduar dhe i mbyllur për ne dhe si i tillë as nuk mund të hapet e as nuk mund të negociohet. Këtë dokument jemi zotuar se do ta zbatojmë në plotëni, ka thënë Sejdiu.

President ka pohuar se Delegacioni i Kosovës, gjatë kësaj periudhe, në konsultim me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të japë kontributin e vet maksimal në trajtimin e aspekteve të veçanta të temave që kanë të bëjnë me relacionet e ardhshme të Kosovës dhe të Serbisë si : për kthimin e të pagjeturve dhe ndriçimin e fatit te tyre; çështjet e të drejtave të pensionistëve dhe e realizimit te tyre nga ana e shtetasve të njërit vend dhe vendit tjetër; çështjet që kanë të bëjnë me sukcesionin; çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes dhe liberalizimin e kufijve; krijimi i mundësive për kthim të qëndrueshëm të qytetarëve të Kosovës që gjenden në Serbi.

Sejdiu është shprehur prerë se Ekipi i Unitetit konsideron se kjo do të jetë vonesa e fundit në këtë proces dhe se nuk do të pranojë shtyrje të tjera të afateve te cilat si të tilla sjellin me vete rreziqe të veçanta, jo vetëm në kompromitimin e procesit, por edhe në ngritjen e shqetësimeve dhe të tensioneve me pasoja të paparashikueshme.

Anëtari i Grupit Negociator, kryeministri Agim Çeku, tha se askush nuk ka pritur që në fund të korrikut të debatohet për shtyrje të statusit. Sipas tij, pak kush ka besuar se Rusia do të jetë aq e kundërshtueshme kundër vullnetit të popullit të Kosovës. Kryeministri i ka vlerësuar SHBA-të si lokomotivën që e ka tërhequr çështjen e statusit të Kosovës. Edhe Çeku tha se nuk ka mbetur asgjë për t’u negociuar, por se do ta mbështet kërkesën e angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për 120 ditë. Ai ka pohuar se delegacioni i Kosovës ka marrë zotimin se pas kësaj periudhe do të arrihet pavarësia. Pas 120 duam qartësi dhe jemi të zotët që pas kësaj periudhe të zgjidhet statusi i Kosovës. Miqtë tanë na kanë thënë se nuk ka nevojë për data, por procesi ecën vet, tha Çeku, i cili e ka vlerësuar të nevojshme koordinimin e veprimeve me partnerët për kohen e shpalljes së pavarësisë. Nuk duhet të jemi aventurierë, por as të paguximshëm që të marrim vendime të rëndësishme, ka theksuar Çeku, i cili e ka quajtur shumë të rëndësishme që në këtë fazë të ruhen uniteti i Ekipit Negociator, stabiliteti i vendit dhe partneriteti me faktorët ndërkombëtarë.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se është krenar për atë që është bërë deri tani. Sipas tij, pavarësia nuk ka të bëjë me afate. Thaçi deklaroi se duhet bindur të tjerët që Kosova të bëhet e pavarur dhe të njihet nga shtetet tjera. Ai ka pohuar se gjatë takimeve të shumta që ka pasur me qytetarë të Kosovës, ka vërejtur se ata kërkojnë të lëvizim më shpejt në drejtim të pavarësisë së vendit. Ka edhe të atillë që thonë se pavarësia të shpallet sot, ka thënë lideri i PDK-së dhe anëtari i Grupit Negociator, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se duhet punuar bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, që na ka përkrahur dhe na përkrah.

Thaçi deklaroi se Kosova nuk duhet të mbyllet nga bota me veprime të pamatura duke dhënë afate të ndryshme për pavarësi. Partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë besueshmëri dhe jo befasia. Ai është shprehur optimist se pavarësia e Kosovës do të njihet shumë shpejt nga SHBA-të dhe BE-ja dhe shtetet e tjera të botës demokratike.

Veton Surroi tha se Kosova gjendet në një situatë delikate. Sipas tij çështja e Kosovës po kalohet nga një koncept në tjetrin, krejtësisht të padefinuar. Por, kalimi nga një koncept në konceptin tjetër nuk duhet të na lejojë që mos ta analizojmë që në këtë ecje çfarë kemi bërë dhe çka mund të përmirësojmë. Kalimi prej një koncepti në konceptin tjetër në fakt na ka dobësuar edhe ne si Ekip Negociator, jo me dëshirën tonë dhe në vullnetin tonë. Është dëmtuar kredibiliteti negociator sepse kredibiliteti ynë ka qenë i investuar bukur shumë në një proces në të cilin kemi marrë pjesë me sinqeritetin më të madh. Pasoja e dytë është se duke marrë pjesë në një koncept negociator ne i kemi shpenzuar të gjitha mundësitë për koncesione. Nga këto kalime, megjithatë u shënua një e madhe për Kosovën, sepse pavarësia tashmë është një koncept i përkrahur nga SHBA dhe BE, tha Surroi.

Tri janë rreziqet që Surroi i sheh në këtë periudhë:

Që në procesin negociator të bëhet përpjekja që të rrezikohet funksionaliteti i shtetit të ardhshme të Kosovës.

Forcimi i vijës ndarëse në veriun e Kosovës, jo si një përpjekje e popullatës së atjeshme, por si një vizion politik që vjen nga disa qarqe për krijimin e konflikteve të ngrira në Evropë. Çështja e Kosovës dhe rrjedhimisht çështja e veriut të Kosovës shndërrohet në një zonë ndarëse në mes perëndimit dhe Rusisë.

Vështirësia që do ta kemi në legalizimin, në legjitimimin e pavarësisë së Kosovës në një proces bukur të vështirë që po na pret, tërheq vëmendjen lideri i ORA-s.

Surroi mendon se Ekipi i Unitetit ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për llogaridhënie, por ka nevojë edhe për mbështetje të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës duhet të marrë iniciativë që ta shndërroj Paketën e Ahtisarit në agjendë të veten legjislative.

Duhet ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare edhe në procesin e ardhshëm 120 ditësh por ky proces duhet ta ketë vulën tonë.

Kuvendi i Kosovës ka obligim ndaj qytetarëve të vet, këtë obligim për funksionalizimin e pavarësisë duhet ta kryej brenda këtij viti deri në kërshëndellat e këtij vit, shprehet i prerë Surroi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, duke iu drejtuar deputetëve në cilësinë e anëtarit të Grupit Negociator ka thënë se e kemi pritur dhe e kemi merituar njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ndodhi.

Për më tepër, zvarritjet dhe shtyrjet e shpeshta të afateve për zgjidhjen e statusit të Kosovës; pastaj tërheqja e çështjes së Kosovës nga KS i OKB-së, ku, Rusia, me një fanatizëm tradicional, i refuzoi, një nga një, të gjitha rezolutat e hartuara nga perëndimorët; dërgimi i pakos se Ahtisarit në Grupin e Kontaktit; propozimi për të ashtuquajturat “negociata shtesë” në kohëzgjatje prej katër deri në gjashtë muaj; qëndrimi rus edhe më tej i paluhatshëm kundër pavarësisë së Kosovës që solli deri te hezitimi ose luhatja e disa vendeve dhe, shtruarja, ose rilansimi i tezës për ndarjen e Kosovës, pra, të gjitha këto, nëse pranohen kështu siç duken në shikim të parë, vërtet lënë hapësirë për shqetësim dhe dyshim se, mos vallë, edhe kësaj here, po na përsëritet historia.

Kosovës, nëse di të ruajë partneritetin me miqtë, sot nuk i kërcënohet rreziku i kthimit prapa. Kanë kaluar kohët kur Kosova ishte e vetme, pa askënd afër, pa ndihmën e askujt.

Por, çfarë të bëjmë tani si Kuvend i Kosovës, ka pyetur Berisha?
Ta bëjmë hapin e fundit, pa e bërë atë që duhet bërë së pari. Pra, ta shpallim pavarësinë e Kosovës. Por, çka pastaj?
Të gjithë partnerët dhe miqtë tanë të vërtetë na thonë se nuk duhet ndërmarrë hapa të njëanshëm.

Dhe, së fundi, ka shtrua pyetje Berisha: a e duam një pavarësi që vlen vetëm këtu në këtë sallë; një pavarësi gjysmake; një pavarësi të një territori të rrudhur; të një territori të përgjysmuar, madje edhe të izoluar; apo e duam një pavarësi pa e cenuar tërësinë territoriale të Kosovës, pra një pavarësi të njohur dhe të pranuar edhe jashtë kësaj salle, të njohur edhe nga pjesa më e madhe e shteteve të botës, të njohur e të pranuar nga e tërë bota demokratike?

Më pastaj radhazi kanë folur shefat e grupeve parlamentare.

Kryetari i G.P të LDK-së, Alush Gashi, ka theksuar se Kosova ka mbështetje të gjerë për pavarësinë e saj. LDK-ja konfirmon mbështetjen e plotë për Rezolutën e Kuvendit të Kosovës lidhur me bisedimet për statusin e vendit dhe kërkon që Grupi Negociator të jetë unik. Përfaqësuesit tanë kanë të drejtë të jenë më aktivë dhe më efikas, ka konstatuar Gashi.

Kryetari i G.P të PDK-së, Jakup Krasniqi, ka spikatur se vonimi i përcaktimit të statusit të Kosovës po i pengon qytetarët e Kosovës në të gjitha segmentet e jetës dhe të zhvillimit. Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë trajtim dhe këtë izolim, ka thënë krasniqi, i cili ka kërkuar qartësi të gjithë procesit të statusit dhe prezantim me dinjitet të çështjes së drejtë të Kosovës.

Kryetarja e G.P të AAK-së, Gjylnaze Syla, ka vlerësuar se jemi në një udhëkryq në rrugën e pavarësisë. Ajo është shprehur prerë se Kosova duhet ta shpallë pavarësinë e saj. Për realizimin e këtij akti madhor përfaqësuesja e AAK-së ka propozuar krijimin e një Asambleje Parlamentare dhe shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë.

Kryetaja e G.P të ORA-s, Teuta Sahatqija, është shprehur se mbledhja e Kuvendit për këtë çështje është dashur të mbahet para shkuarjes së Grupit Negociator në Uashington. Tani, ka konstatuar ajo, jemi në situatë tjetër ku procesi ka devijuar dhe pozicioni negociues i Grupit të Unitetit është dobësuar.

Mahir Yagcilar, nga G.P. 6+ ka theksuar se jemi të vetëdijshëm për faktin që Kosova në këtë moment paraqet sfidë ndërkombëtare dhe, në njëfarë mënyre, matje të forcave në mes të fuqive të mëdha dhe vendimtare në botë. Prandaj në këto periudha kritika duhet të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm, t’i bëjmë për vete sa më shumë shtete dhe që në partneritet me SHBA-të dhe BE-në ta bëjmë Kosovën e pavarur.

Numan Baliq nga G.P për Integrim, në funksion të realizimit të shtetit të pavarur të Kosovës ka kërkuar një qeveri gjithëpërfshirëse, me përfaqësim të partive politike dhe të gjitha bashkësive etnike në Kosovë.

Lulzim Zeneli nga G.P i LDD-së e ka kontestuar formatin e këtij debati, sepse situata ka ndryshuar dhe se procesi ka degjeneruar nga ajo që ka përcaktuar Kuvendi i Kosovës. Ai ka pohuar se Grupi i Unitetit, por edhe institucionet e vendit nuk kanë qenë në nivel të përgjegjësisë.

Në vazhdim ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe të deputetëve në debat për çështjen e zvarritjes së statusit të vendit. Shumica prej tyre kanë kërkuar angazhim me kapacitet të plotë të Grupit Negociator dhe të institucioneve të vendit për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Dhe derisa ka pasur mendime të ndryshme për atë se a duhet apo jo të caktohet një datë për shpalljen e pavarësisë, që të gjithë kanë qenë të pajtimit se duhet të ruhet partneriteti i Kosovës me SHBA-të, me BE-në e me vendet e tjera të botës dhe në koordimin me to të realizohet synimi ekzistencial i popullit të Kosovës, pavarësia e vendit dhe rruga e integrimit në mekanizmat evropian dhe euroatlantik.

Në përfundim të debatit kryetari i G.P të PDK-së, Jakup Krasniqi, ka prezantuar para deputetëve propozimin, i cili, siç tha ai, është mbështetur në një takim me shefat e grupeve parlamentare që:

Të rikonfirmohet qëndrimi i Kuvendit për Rezolutën e 17 tetorit 2005 për vullnetin politik të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran;
Kuvendi të jetë në seancë të përhershme për çështjen e statusit dhe
Kuvendi ta autorizojë Grupin Negociator ta hartojë një platformë unike për Kosovën e pavarur dhe shtet neutral.

Në fund fare edhe një herë e kanë marrë fjalën anëtarët e Grupit Negociator, të cilët kanë falënderuar për debatin, për mbështetjen nga shumica e deputetëve për punën e Grupit. Ky debat, kanë thënë ata, do të jetë mesazh edhe për bashkësinë ndërkombëtare që të përshpejtojë me zgjidhjen e statusit të Kosovës konform vullnetit të popullit të saj. Ata janë zotuar se këtë akt madhor do ta realizojnë bashkë me miqtë tanë.
Seanca debatoi për pasojat e zvarritjes së statusit