Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 31.07.2007




Fillimi i seancës së sotme parlamentare, e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, i është kushtuar pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë, dhe përgjigjeve të kryeministrit Çeku dhe të kabinetit të tij qeveritar në pyetjet e deputetëve.

Më pastaj kryeministri i Kosovës, z. Agim Çeku, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të ORA është paraqitur në interpelancë, lidhur me moszbatimin e ligjit gjatë licencimit të operatorit të dytë mobil në Kosovë.

Kryeministri Çeku edhe para deputetëve ka pohuar se që çështja vihet për interpelancë është kompetencë dhe përgjegjësi e ART-së. Ai tutje ka sqaruar se ishte përgjegjësi e Ministrisë së telekomunikacionit që ta përgatiste dokumentacionin për tenderin, kurse përzgjedhja e ofertuesve ishte kompetencë e ART-së. Fakti pse ofertuesit të parë të preferuar, firmës Cosmocel, nuk i janë konfiskuar 16,2 milion euro paradhënie (20% e vlerës së ofertës) ka ndodhur sepse firma në fjalë ende nuk e ka pas fituar licencën, ka thënë Çeku, i cili ka pohuar se çështja është paraqitur në gjykatë dhe është aktivizuar njësia e hetimit. Kjo ka edhe qenë arsyeja pse shumica e shefave të grupeve parlamentare kanë vlerësuar se nuk ka nevojë të krijohet ndonjë komision hetimor parlamentar për këtë çështje.

Seanca plenare ka vazhduar me shqyrtimin e projektligjeve.

Për herë të parë është shqyrtuar Projektligji për përkrahje materiale familjarëve të fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme, arsyetimin e të cilit para deputetëve e ka bërë Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj.

Për herë të dytë, ndërkaq janë shqyrtuar Projektligji për letërnjoftimin dhe ai për Trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Po në këtë seancë është debatuar lidhur me ndërtimet ilegale kolektive nga qeveria e Serbisë në Veriun e Mitrovicës, sipas kërkesës së grupit parlamentar të LDD-së. Kryetari i këtij grupi, Ramadan Kelmendi, ka paraqitur para deputetëve shqetësimet për veprimit e regjimit serb në pjesën veriore të Mitrovicës, ku me çmime shumë të larta Qeveria e Serbisë blenë prona të shqiptarëve dhe në to ngritë banesa për banim kolektiv të qytetarëve me kombësi serbe. Gjithë kjo bëhet që të ndryshojë struktura etnike e kësaj pjese të Mitrovicës dhe të përforcohet ndarja etnike përgjatë rrjedhës së lumit Ibër, ka thënë Kelmendi.

Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit hapësinor, Ardian Gjini, ka theksuar se aktualisht në atë pjesë të Mitrovicës po ndërtohen tetë banesa për banim kolektiv ( gjashtë në Lagjen e Boshnjakëve dhe dy në atë 7 Shtatori). Por, ka thënë Gjini, çështja nuk duhet të reduktohet në ndërtimin pa leje të tyre, sepse synimi është shumë më thellë dhe në kuadër të strategjisë së regjimit të Beogradit për ndarje etnike.

Shumë deputetë kanë marrë pjesë në këtë debat, por në mungesë të kuorumit (ishin të pranishëm vetëm 46 deputetë) nuk ka mundur të miratojë rekomandime për ndërtimet ilegale për banim kolektiv të financuara nga qeveria e Serbisë në Veriun e Mitrovicës.

Për shkak të gjendjes alarmante të përhapjes së zjarreve nëpër pyjet e Kosovës, me kërkesë të Grupit Parlamentar i PDK-së, të Komisioni për Bujqësi dhe Pylltari dhe të atij për Siguri, Ministri i Brendshëm Blerim Kuçi ka paraqitur një raport për masat që ka ndërmarrë Qeveria në terren për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve dhe dëmet e pësuara nga zjarret.

Kuçi ka theksuar angazhimin e Qeverisë për krijimin e Komitetit Ndërministror të Krizave, i cili më vonë është avancuar në Shtabin Qeveritar të Krizës dhe angazhimin maksimal të Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Siguri, Naim Maloku, ka lavdëruar punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, si dhe angazhimin maksimal të SHPK-së, të TMK-së dhe të Shërbimit të zjarrfikësve. Ai është angazhuar që të organizojë dëgjime publike për rreziqet e zjarreve me qëllim të krijimit të vetëdijes qytetare për pasojat afatgjata të zjarreve në pyjet dhe fushat e Kosovës.

Ka pasur, ndërkaq edhe deputetë, të cilët e kanë vlerësuar të vonë dhe të pamjaftueshëm angazhimin e Qeverisë për përballjen me zjarret.

Për mungesë kuorumi është shtyrë për një seancë tjetër shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit të për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese lidhur me propozimin e Prokurorisë Publike të Kosovës për emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Nga punimet e seancës plenare